| Prej transmetimit të parë në shtator të vitit 2005, Jeta në Kosovë është emisioni më i shikuar i çështjeve aktuale në Kosovë. Emisioni fillimisht përbëhej vetëm prej debatit njëorësh, mirëpo falë suksesit të emisionit, shikueshmërisë së tij si dhe kërkesave të shikuesve, Jeta në Kosovë u pasurua më shumë në përmbajtje dhe arriti të prodhojë dhe transmetojë program dyorësh. Tani emisioni, përveç debatit në studio, përmban edhe rubrika të tjera, të cilat paraqesin jetën në Kosovë dhe sfidat e përditshme të qytetarëve tanë. Deri tani BIRN ka prodhuar gati 200 episode të emisionit javor Jeta në Kosovë, të cilat që nga fillimi u transmetuan dhe vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik të Kosovës, RTK, në kohë primetime, tashmë çdo të enjte duke filluar prej 20:20. Jeta në Kosovë numëron një staf prej afro 30 gazetarëve, hulumtuesve, monitoruesve dhe stafit teknik e administrativ. Përmes moderimit vigjilent, reportazheve hulumtuese dhe pyetjeve sfiduese në studio, Jeta në Kosovë mundohet që në mënyrë sa më efikase të veprojë si kujdestar, për të cilin qeveria dhe shoqëria e Kosovës ka shumë nevojë. |