Për çfarë veprime u dënuan grupi i dytë i të akuzuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares?

Gjykata e Prishtinës, Departamenti për të mitur ka marrë sot më 23.04.2023 vendim me të cilin i ka dënuar gjashtë nga tetë të akuzuarit lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në qershorin e vitit 2022.

Gjyqtari i çështjes, Adnan Isufi ka marrë vendim duke i dënuar me 12 vite dënim me burgim B.Rr. për veprën penale të dhunimit.

Kurse të akuzuarit tjerë, D.Rr., B.S., M.S., F.S. dhe M.R. secili veç e veç janë dënuar me nga 10 vite dënim me burgim.

62 vite dënim me burgim në total është dënimi të cilin e kanë marrë 6 nga 8 të akuzuarit e këtij rasti, që përbejnë grupin e dytë të të akuzuarve.

Gjyqtari i çështjes, të akuzuarin G.S. e ka liruar nga akuza për veprën penale të dhunimit kurse për ndihmë në dhunim janë liruar nga akuza D.Rr., F.S., dhe E.S..

Gjykata ka marrë vendim me të cilin të akuzuarve B.R., D.Rr., B.S., M.S., F.S. dhe M.R. ju ka caktuar masën e paraburgimit deri sa vendimi të merr formën e prerë.

Por, çfarë veprime kishin ndërmarrë tashmë të akuzuarit sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit?

03.09.2022, KALLXO.com kishte arritur të siguroj dosjen e Prokurorisë që shpaloste detaje për tmerrin e 11-vjeçares e cila brenda një dite pretendohet se ka pasur gjashtë dhunime seksuale.

Dosja e prokurorisë të cilën e kishte siguruar KALLXO.com fliste se gjashtë të dyshuarit brenda një dite dyshohej se e kishin dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.

Ngjarja pretendohej se ka ndodhur më 21 qershor të vitit 2022 ndërsa të dyshuarit, disa prej tyre kishin vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin dhe veprimet e dyshimta ishin kryer që nga mëngjesi i hershëm.

Gjashtë persona ishin arrestuar më 02.09.2022  nga ana e policisë në lidhje me dyshimet për trafikim të së miturës e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të tjerë javën e kaluar.

Në total të akuzuar lidhur me këtë rast janë 8 persona në grupin e dytë.

Për këtë rast është duke vazhduar Gjykimi edhe për grupin e parë për dhunimin e 11-vjecares që përbëhet nga pesë persona. Gjykata Themelore kishte dënuar më 24.02.2023 grupin e parë të të akuzuarve me gjithsej 40 vjet dënim me burgim.

Apeli kishte konstatuar se ky vendim i Themelores, në vete përmban shkelje procedurale Apeli kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Në mëngjesin e 21 qershorit, ditë e martë, rreth orës 8, e mitura 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga D.Rr., 23-vjeçar. I dyshuari dhe viktima kishin rënë në kontakt përmes rrjetit social Viber dhe kishin lënë takim në një lokacion në kryeqytet e më pas kishin vazhduar drejt një moteli.

23-vjeçari sipas dosjes së prokurorisë, e kishte marrë me veturë të miturën dhe e kishte dërguar në motel rreth orës 8 të mëngjesit dhe më pas kishte filluar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të.

Dosja flet se i pandehuri ishte në dijeni se viktima ishte e mitur. Përveç veprës penale të dhunimit, i njëjti po dyshohet edhe për trafikim. Kjo pasi që në të njëjtën ditë, pra mëngjesin e 21-qershorit i njëjti kishte vënë në kontakt viktimën me dy persona të tjerë, B.S., 26-vjeçar dhe G.S., 25-vjeçar.

Pas 23-vjeçarit, dy të pandehurit e tjerë G.S., dhe B.S., dyshohet se në të njëjtën ditë e kishin shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale pasi kishin rënë në kontakt me të përmes D.Rr..

Të dy të pandehurit, G.S. dhe B.S., po dyshohen për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Të gjithë të dyshuarit sipas dosjes së prokurorisë, në të njëjtën ditë kanë shfrytëzuar seksualisht të miturën, e kanë trafikuar dhe dhunuar.

I pandehuri tjetër F.S., 22-vjeçar, po dyshohet që në ditën e njëjtë, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në një motel. Fillimisht dosja e prokurorisë tregon se 22-vjeçari kishte rënë në kontakt me 11-vjeçaren përmes rrjeteve sociale e më pas ishin takuar dhe kishin vazhduar në një motel.

22vjeçari, F.S., po dyshohet për veprën penale të dhunimit.

Të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar edhe me dyshimin për trafikim me njerëz pasi që dyshohet se i njëjti i kishte aranzhuar takim 11-vjeçares me persona të tjerë me qëllim të shërbimit seksual.

I pandehuri tjetër M.R., 21-vjeçar, dyshohet se kishte shfrytëzuar seksualisht të miturën ndërsa me viktimën kishte rënë në kontakt përmes F.S.

21-vjeçari M.R., po dyshohet për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit si dhe veprën e dhunimit.

M.R., ishte takuar me viktimën në kryeqytet e më pas kishin vazhduar në një motel dhe aty dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit.