‘Skenë krimi! Mos kalo!’ - Aktivistët bllokojnë me ngjitës zyrën e profesorit Xhevat Krasniqi

Aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.

Ky aksion është vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkojnë me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.

Këshilli i Etikës i UP-së, i cili po trajton këtë rast nuk mori vendim as në mbledhjen e mbajtur më 22.04.2024, ku dëshmoi edhe vetë profesori.

Kjo revoltoi aktivistët që më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës.”

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Xhevat Krasniqi pasi ka përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.

Për një studente, Krasniqi tha se në protestë është shpreh që “m’ka ngacmu” mirëpo sipas tij “nënshkrimin s’e ka fare në ankesë”.

Rreth shprehjes e cila është deklaruar nga 27 studentet e Mjekësisë se Krasniqi i ka pyetur se “çka ki nën fustan?”, ai ka thanë se i pyet pasi dyshon se kopjojnë.

“M’pyesin – Ai ke thanë ti studentes çka ki nër fustan?, kurrë s’e kam thanë. Ka ndodhë – çka ki aty, e qet telefonin, t’u kopju. Krejt këmbët i shkruajnë me formula të matematikës, edhe duart” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur rreth gjashtë profesorë të Matematikës që kanë ligjëruar më herët në Mjekësi. Këshilli i Etikës e ka pyetur se cilët janë arsyet e largimit të këtyre profesorëve, sipas tij.

“Në mesin e tyre një profesor që ka qenë kogja gjatë aty, vjen në një pozitë që studentët i pytë me detyra të klasës pestë. Kot është sepse ata dojnë m’i vendos notat veç qysh dojnë ata” – ka deklaruar Krasniqi.

Këshilli i Etikës e ka pyetur se a mund të konstatohet pretendimi i tij se kjo është një fushatë për largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.

Këshilli i Etikës ka vazhduar ta pyesë se a ka pasur studentë tjerë prezentë kur pretendohet se është thënë fjala “masazh” ndaj nji studentje nga ana e tij.“Po çfarë masazhe po flitet aty, po na e kem detyrë zyrtare. Në asnjë mënyrë, aty thotë, njihere jena kanë vetëm, tani dalim dy-tre dëshmitarë. Në asnjë mënyrë s’ka ndodhë ajo hiç” – tha Krasniqi.

Më tej, nga Këshilli i Etikës thanë se kanë parë disa vlerësime të performancës së tij si profesor që u ka sjellur Fakulteti i Edukimit dhe se për Degën e Farmacisë në Mjekësi, nga ku është raportuar për ngacmim, ai u kishte premtuar se do t’i sjellte raportet e vlerësimit të studentëve.

Krasniqi tha se nuk e ka dëgjuar se do t’i sillte raportet e vlerësimit të studentëve të Farmacisë. Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit mund ta lexoni KËTU.

“Kallxo Përnime” ka publikuar hulumtimin, në të cilin, disa vajza dhe djem rrëfejnë për ngacmimet seksuale që pretendohet se profesori i matematikës, Xhevat Krasniqi i ka bërë ndaj studenteve të mjekësisë.

KALLXO.com raportoi më 18.04.2024, se Dekani i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës (UP), Blerim Saqipi, ka thënë se rastet e raportuara në këtë Fakultet ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për “sjellje të papërshtatshme me koleget” po menaxhohen brenda institucionit.

Kështu tha ai kur u sfidua me pyetje nga aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore të cilët ndërprenë ligjëratën e Krasniqit, i cili në Fakultetin e Mjekësisë është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

“Edhe ti ke pasë (pranuar) denoncime për sjellje të papërshtatshme me koleget a po? Ti vetë e ke thanë publikisht?” – ishte fjalia me të cilën iu drejtua aktivistja, Blenda Asllani.