Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 24.04.2024. Foto: James O'Brien, X

O’Brien i kujton Kurtit nevojën për "progres urgjent" për Asociacionin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kujtuar kryeministrit Albin Kurti nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

O’Brien e Kurti u takuan sot, më 24.04.2024 dhe folën për hapat e nevojshëm që Kosova duhet të kalojë drejt integrimit euroatlantik.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë progresin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” – ka shkruar O-Brien në rrjetin social “X”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Të dy vendet arritën një marrëveshje tjetër bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18.03.2023 në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje e cila po ashtu parasheh themelimin e Asociacionit.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendetpër zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.