Bislimi: Serbia kërkoi që t'i financojë strukturat paralele deri në themelimin e Asociacionit

Në takimin e sotëm në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe).

Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.

“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – tha kryenegociatori i Kosovës sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit.

Takimi i sotëm, 25.04.2024, ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, u ndërmjetësua nga i dërguari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Temë e këtij takimi ishte çështja e dinarit serb, të cilin autoritetet e Kosovës e kanë ndaluar të përdoret për transaksione me para të gatshme që nga 01.02.2024.

Siç ka njoftuar Bislimi, edhe në këtë takim nuk u gjet ndonjë zgjidhje, teksa palët u pajtuan që të takohen prapë në fund të javës së dytë të muajit maj.

Bislimi tha se takimi i sotëm për dallim nga takimet e tjera ka qenë shumë më konkret, duke theksuar se palët kanë diskutuar nen për nen rreth ideve që ka prezantuar Lajçak dy javë më herët.

“Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen” – tha Bislimi.

Ai gjithashtu shtoi se sot për herë të parë kanë parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si, sipas tij, ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit.

“Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.” – tha zëvendëskryeministri

Gjithashtu ai shtoi se sot vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licencimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë.

“Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim” – shtoi Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës shtoi se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve dhe se shkon në drejtimin e duhur.

Por, Bislimi tha se kjo kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.

Zëvendëskryeministri u pyet edhe nëse çështja e Asociacionit është diskutuar në përgjithësi apo vetëm për këtë çështje që ka të bëjë me pagesat.

Ai tha se jo, por shtoi se një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera.