Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku pak para shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për akuzat për krime lufte. Foto: KALLXO.com/25.04.2024

Avokati i Sylejman Selimit deklarohet pas vendimit të Gjykatës

Gjykata Themelore në Prishtinës ka liruar sot më 25.04.2024 Sylejman Selimin dhe Jahir Demakun nga akuzat për krime lufte.

Avokati i Sylejman Selimit, Artan Qerkini, para media tha se janë të kënaqur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke shtuar se aktakuza ka qenë kundërthënës.

“Ne gjatë gjithë kohës, kemi potencuar se kjo akuzë është e rrejshme, gjë që e vërtetoi edhe Gjykata, ngase edhe deklarimet e dëshmitarit A.  në lidhje me këtë pikë të aktakuzës kanë qenë jashtëzakonisht kundërthënëse dhe nuk ka pasur mbështetje në provat e tjera. Prandaj edhe si të tilla nuk e kanë plotësuar standardin e kërkuar nga Gjykata në mënyrë që një person të mund të shpallet fajtor” – tha Qerkini më 25.04.2024

Trupi Gjykues gjatë leximit të vendimit thanë se s’kanë arritur t’i vërtetojnë pretendimet e Prokurorisë dhe në mungesë të provave i ka liruar nga aktakuza.

Ata akuzoheshin me pretendimet e Prokurorisë Speciale se si pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga lagjja Shipol e Mitrovicës.

Rasti pretendohet se ka ndodhur në qendrën e ndalimit në Likovc të Skenderajt në një datë të papërcaktuar siç thuhet në dosje “në muajin gusht apo shtator të vitit 1998”.

Këtë vepër penale ata akuzohen se e kanë kryer teksa personi i paidentifikuar ka qenë në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritur.

Ky rast që aktualisht po gjykohet është i njohur si “Drenica 1”, pasi lënda “Drenica” ishte ndarë në “Drenica 1” dhe Drenica 2”.

Sylejman Selimi ishte dënuar për rastin “Drenica 2” nga Gjykata e Mitrovicës më 27.05.2015 me 8 vjet burgim. Apeli e kishte zbutur dënimin në 7 vjet. Kurse në rastin “Drenica 1” ishte dënuar me 6 vjet dhe rasti është kthyer në rigjykim dhe po gjykohet në Gjykatën e Prishtinës.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Ngadhnjim Arrni dhe ma anëtarët Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari.