Komisioni për Media aprovon plotësimin e një neni në projektligjin e ri të  KPM-së

Komisioni për Media ka aprovuar propozimin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) që ligji i ri për këtë institucion të përfshijë nenin i cili do të obligoj ofruesit e shërbimeve të internetit që të ndalojnë përmbajtjet të cilat cenojnë sigurinë dhe integritetin e shtetit.

“KPM obligon operatorët (ofruesit e shërbimeve të internetit) të ndërmarrin të gjitha masat teknike për ndërprerjen e platformave, kanaleve, ose përmbajtjeve të dëmshme vendore dhe të huaja të cilat cenojnë sigurinë dhe rendin kushtetues”- thuhet në propozimin të cilin e aprovoi Komisioni për Media.

Ky propozim sipas procedurave futet si amandament në projektligjin për KPM, i cili është duke u shqyrtuar në lexim të dytë në Komisionin për Media.

Ky paragraf u vendos si pikë e re e nenit 4 në projektligjin për KPM, i cili pas amandamentimit pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Ekspertja e Këshillit të Evropës, Deidre Kevin kërkoi që ligji të saktësojë se çfarë përmbajtje mund të ndalohen.

“Ju thatë përmbajtje e dëmshme nuk është e qartë që me kërkesën përmbajtja e tillë të bllokohet. Do duheshim me përcaktu çfarë përmbajtje jemi duke folur . Kjo duhet me u specifiku sepse kjo do të thotë që KPM mund të ndaloj çfarëdo përmbajtje s’po them që e bën. Në shumë shtete para se me blloku një përmbajtje interneti duhet të ketë një raport nga policia apo gjykata. Ka shumë përmbajtje që mundeni me i pa si të dëmshme. Duhet të bëhet dallimi në mes përmbajtjes së dëmshme dhe ilegale, më shumë duhet me u ndal të këto çështje”- deklaroi Deidre Kevin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri pati një propozim rreth regjistrimit.

“Kurse për entitete që funksionojnë si OJQ duhet vërtetim zyrtar mbi regjistrimin e tyre pranë ministrisë përkatë. Kjo të shtohet tek 2.3”- tha Fitim Haziri, deputet i LVV-së.

Ekspertja e Këshillit të Evropës sa i përket rregullit që ky ligj parasheh që të licencoj ofruesit e shërbimeve audio, audiovizuale, platformat për shpërndarjen e videove, operatorët e shpërndarjes, operatorët e rrjetit dhe operatorët e multiplkesit.

“Në raport lidhur me licencimim 29 shtete kërkojnë regjistrim licenca të noterëve për këtë punë, gjithashtu nuk i licencojnë proceset por kërkojnë lajmërime por jo të licencojnë platformat e shpërndarjes së videove. Nuk është praktikë kjo e rregullatorëve”- tha ekspertja e BE.

Sot më 26.04.2024 , Komisioni për Media, është duke shqyrtuar në lexim të dytë projektligjin për media.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Nis shqyrtimi në lexim të dytë i ligjit për KPM-së