Foto: Facebook/MKRS.

Bislimi i dhuroi Muzeut Kombëtar penën me të cilën u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ia ka dhuruar Muzeut Kombëtar të Kosovës penën me të cilën u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përmes një njoftimi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se kjo dhuratë të cilën e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të MKK-së, Vjollca Aliu, i ishte dhuruar Bislimit nga eurodeputeti dhe ish-raportuesi për Kosovën, Thijs Reuten.

“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar”- thuhet në njoftimin e MKRS-së

Sipas njoftimit, ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Më 19.04.2023, në Strasbourg të Francës ishte nënshkruar liberalizmi i vizave për Kosovën nga Parlamenti Europian.

Liberalizmi hyri në fuqi nga 01 .01.2024.