Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

I dyshuari për dhunimin e të miturës në Ferizaj ishte i dënuar nga Gjykata në vitin 2014 me gjobë

Gjykata e Ferizajt ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit I.R., nën dyshimin se e ka dhunuar një të mitur.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari nga muaji prill i vitit 2023 deri në muajin mars 2024 e ka detyruar të miturën nën moshën 14-vjeçare të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj.

Këtë vepër penale ai dyshohet se e kreu duke qenë shofer i autobusit, dhe se e kishte ndalur të miturën në një vend të përshtatshëm ku nuk kishte shtëpi dhe e kishte keqpërdorur seksualisht.

Gjykata e Ferizajt në një përgjigje të dhënë për KALLXO ka njoftuar se ky person ishte i dënuar nga kjo Gjykatë për veprën penale – falsifikimi i dokumenteve, me 400 euro gjobë.

Ky aktgjykim dënues Gjykata ka njoftuar se është bërë i plotfuqishëm më 05.09.2014.

“Nga të dhënat të cilat i kemi siguruar në Sistemin Qendror të Evidencës Penale (SQEP), ndaj të dyshuari I.R., figuron një aktgjykim i plotëfuqishëm më datë 5 shtator 2014, i gjykuar për veprën penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 332 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar denim me gjobë në shumë prej katërqind (400) euro. Gjithashtu, ju njoftoj se me të dhënat e njëjta figuron se një rast është në Gjykatën Themelore në Prishtinë por për të cilën nuk mund të sigurojmë të dhëna shtesë lidhur me këtë”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Sipas Prokurorisë, në kohë të pacaktuar në disa raste i dyshuari e kishte dërguar të miturën te një motel në Ferizaj dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale përkundër refuzimit të të dëmtuarës.

“Fillimisht herën e parë, ashtu që derisa ishte si shofer i autobusit dhe pasi që niset nga një fshat i Komunës së Ferizajt në drejtim të fshatit tjetër, i pandehuri pasi e merr të dëmtuarën e mitur në autobus (vetëm këta të dy), ky aty ndal autobusin në një vend të përshtatshëm ku nuk kishte shtëpia dhe për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht, në atë mënyrë që i pandehuri ka kryer akt seksual me të dëmtuarën në autobus e pastaj në kohë të pacaktuar në disa raste e dërgon tek një motel në Ferizaj dhe aty kryen marrëdhënie seksuale përkundër refuzimit të dëmtuarës” – përshkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

Masa e paraburgimit e caktuar nga Gjykata është për 30 ditë, sipas kërkesës së Prokurorisë, dhe është caktuar nga gjyqtarja Fitore Daci.