Foto: Arbëreshë Kryeziu - Hyseni, Facebook

Kryeziu-Hyseni: Jemi pranë vendimit për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se Kosova është pranë vendimit për largimin e masave nga Bashkimi Europian.

Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit shënon zbatimin e plotë të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës.

“U deshën 11 muaj për ta kuptuar ju (opozita) dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiqi, dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia. Rezultati i zgjedhjeve të kësaj të diele në katër komunat në veri shënon zbatimin në plotëni të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës, rrjedhimisht do të thotë largim të masave ndaj Kosovës”- deklaroi ajo.

Vendosjen e masave të BE-së, ajo e quajti padrejtësi ndaj Kosovës.

“Në qershorin e vitit që kemi lënë pas, BE i vendosi padrejtësisht masa Republikës së Kosovës. Këtë veprim ata e morën me arsyetimin se nuk mund të përballonin paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë në veri. Ne si qeveri dhe si pozitë reaguam për padrejtësinë që po i bëhej vendit tonë”- tha Kryeziu – Hyseni në seancën e mbajtur më 25.04.2024.

Pas procesit të votimit në katër komunat në veri të vendit, krerët shtetërorë të Kosovës njëzëri i kanë kërkuar BE-së heqjen e masave ndëshkuese, duke thënë se është përmbushur tashmë detyrimi i kërkuar nga blloku për shtensionimin e situatës në veri.

Një ditë pas votimit në 4 komunat në veri, pa dhënë detaje të tjera, Bashkimi Europian deklaroi më 22.04.2024 se Këshilli do të diskutojë për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-s, në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për KALLXO.com.

Kosova kërkon heqjen e masave ndëshkuese, BE thotë se çështja do të diskutohet