Foto: Edi Rama/ Fcb

Edi Rama uron Kosovën: Mozaikut të Këshillit të Europës i mungon një gur i pazëvendësueshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Kosovën për mbështetjen që ka marrë sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të arritur në fazën e fundit për anëtarësim në këtë organizatë.

“Një hap historik sapo u hodh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE”, ka shkruar Rama në Facebook.

“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe  i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, ka uruar ai.

Tani, sipas tij, në maj është hapi i fundit historik në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: vulosjen e këtij anëtarësimi, “të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.

“Forca KOSOVË”, ka shkruar Rama.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar nga zemra të gjithë ata “që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën për të drejta të njeriut”.

Sot Kosova, sipas saj, shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.

“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e  përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!”, ka uruar e para e shtetit, duke paralajmëruar se Kosova tashmë është edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Lajmit për kalimin e hapit tjetër drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, i është gëzuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut e se me Kosovën aty, Këshilli i Europës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.