Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Sot mblidhet KQZ diskutohet organizimi i procesit të votimit të shkarkimit të kryetarëve në veri 

Komisioni Qendror Zgjedhor do të mblidhet sot nga ora 14:00 për të diskutuar në lidhje me organizimin e procesit të votimit i cili do të mbahet nesër (21.04.2024). 

Ky proces do të zhvillohet për të votuar për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. 

Në rendin e ditës janë pesë pika duke përfshirë edhe adresimin e kryetarit të KQZ, Kreshnik Radoniqit deri te pika ku mund të diskutohen edhe tema të ndryshme të cilat ndërlidhen me procesin e votimit. 

Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën më 21.04.2024, do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.

E vetëm dy ditë para organizimit të këtij procesi, përfaqësuesit lokal të partive politike të udhëhequra nga shqiptarët thonë se e kanë lënë në vullnetin e qytetarëve që të vendosin nëse duan ose jo të dalin në votime.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.