Akil Gjakovës i vazhdohet masa e ndalimit deri në marrjen e vendimit për masën e sigurisë

Gjykata e Pejës ka marrë vendim që Akil Gjakovës, i dyshuar për dhunë në familje, t’i vazhdohet masa e ndalimit prej 48 orësh derisa gjyqtari Veton Ademaj të vendosë për masën e sigurisë.

Ndaj xhudistit kosovar Prokuroria e Pejës ka kërkuar masën e paraburgimit kurse seanca ndaj tij u zhvillua e mbyllur me vendim të Gjykatës.

Akil Gjakova ishte arrestuar të martën, më 16.04.2024 rreth orës 22:00, ndërsa është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Ai po dyshohet për dhunë në familje. Këtë e raportoi bashkëshortja e tij me të cilën është në proces divorci.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë dosjen e kërkesës së Prokurorisë e në të cilën janë vënë edhe dyshimet se Gjakova mund të arratiset nëse qëndron në liri, kjo për faktin se i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpi në ditën kur ishte kërkuar nga Policia pas raportimit të bashkëshortes për dhunë në familje.

Në bazë të dosjes, ai fillimisht i kishte thënë policëve se do të paraqitet me avokatin e tij në Polici.

Meqenëse nuk ishte paraqitur ashtu siç kishte thënë, pPolicia kishte nisur kërkimin e tij në shtëpinë e tij, as aty ai nuk ishte, ndërsa iu la edhe ftesa për paraqitje në stacion policor.

Tutje një tjetër pikë që Prokuroria ka konsideruar se është bazë për caktimin e paraburgimit është edhe fakti i ndikimit në dëshmitarë si dhe fshehja e provave, e edhe përsëritja e veprës penale.

KALLXO.com ka siguruar edhe ankesën që ka ushtruar ish-bashkëshortja e xhudistit Akil Gjakova.

Në bazë të dosjes, më 13.04.2024 Policia kishte pranuar një informacion përmes linjës 192 nga ankuesja S.Gj. për dhunë në familje. Ajo bashkë më fëmijën 3-vjeçar janë dërguar në stacion policor pasi kanë dalë ekipet në vendin e ngjarjes dhe aty është intervistuar.

Dhuna fizike e cila dyshohet se u përdor nga Akil Gjakova ndaj bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, sipas dosjes, ka ndodhur gjatë vitit 2023.

Kishte qenë vetë ankuesja e cila kishte dërguar prova materiale në Polici në lidhje me dhunën fizike dhe psikike që pretendon se kishte përjetuar gjatë vitit të kaluar.

Në ditën kur u raportua Gjakova për dhunë në familje, ankuesja S.Gj., ka raportuar në Polici se kishte shkuar te Akil Gjakova bashkë me fëmijën e tyre dhe aty e kishte gjetur derën mbyllur dhe një shënim “derën e ke mshelë dhe jam ka t’i boj gati teshat dhe po t’i bi te shtëpia jote”.

Viktima në Polici ka deklaruar se ka pasur vazhdimisht dhunë psikike nga Akil Gjakova.

Pas intervistimit nga ana e Policisë në prezencë edhe të zyrtares së QPS, S.Gj. është dërguar me kërkesë të saj në strehimore.

Nga 13.04.2024, Policia kishte iniciuar rastin ndërsa gjatë datës 16.04.2024 të njëjtit kishin shpallur në kërkim Akil Gjakovën pasi nuk ishte lokalizuar në Kosovë.