Foto: KALLXO.com

Kosova nënshkruan marrëveshje për punësim dhe turizëm me Malin e Zi

Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027, me vlerë 8.4 milionë euro nga Bashkimi Evropian, për të avancuar bashkëpunimin në fushën e punësimit dhe turizmit.

Marrëveshjen e nënshkruajtën zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviç.

Bislimi, tha se nga kjo marrëveshje i mundëson të dy shteteve fqinjësi të mirë, si hap i rëndësishëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ky bashkëpunim do të avancohet dukshëm duke u kujdesur për zbatim të plotë të marrëveshjes. Qëlimi është promovimi i fqinjësisë së mirë, zhvillimi social dhe ekonomik”- tha Bislimi.

Ai tha se është planifikuar themelimi i një task-force të përbashkët, që do të mbikëqyrë zbatimin e programit, në Podgoricë dhe “antene të saj Prishtinë”.

Ndërkaq, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç ka thënë se deri më tani kanë pasur më shumë se 10 milionë euro bashkëpunim mes dy vendeve.

“Të lidhim njerëzit njerëzit mes dy vendeve dhe të hapim rrugë të reja në punësim dhe turizëm”- tha ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021, investimet e huaja direkte nga Kosova në Mal të Zi arritën në 5,891 milionë euro. Investimet e huaja direkte nga Kosova në vitin 2020 arritën në 4,549 milionë euro, që është një rritje e ndjeshme krahasuar me 3.3 milionë euro në vitin 2018 dhe krahasuar me 2.2 milionë euro në vitin 2017.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës janë vendosur më 15.01. 2010.