Plani për ndërtimin e tunelit Tetovë- Prizren shkakton debat të nxehtë mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe deputetëve të grupit parlamentar të LVV-së, Haxhi Avdyli e Artan Abrashi, në seancën e mbajtur më 25.04.2024.

E gjithë përplasja nisi pas deklaratës së deputetit Shala, i cili adresoi një serë kritikash lidhur me këtë projekt.

Sipas tij, marrëveshja për ndërtimin e tunelit përmban tetë nene të shkruara keq dhe të paqarta.

Ai e quajti të dyshimtë edhe mënyrën si parashihet të realizohet projekti.

“Më habit marrëveshja sepse një investim kaq kapital i ka tetë nene të cilat janë të shkruara keq e të paqarta. Kjo marrëveshje përcakton mënyrën dhe metodologjinë e një projekti dhjetëra milionësh. Gjithçka u lihet dy grupeve të punës. Në asnjë nen të marrëveshjes nuk kemi qartësi juridike. Për më keq, as zgjedhjen eventuale të kontesteve nuk e definon. Nuk ka auditim. Jashtëzakonisht e dyshimtë mënyra se si ka me u realizu ky projekt”- ka thënë Shala.

Në kundërpërgjigje deputeti nga GP i LVV-së, Haxhi Avdyli akuzoi PDK-në se me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka bllokuar mbi 300 milionë euro.

“Derisa PDK ka vendim partiak që nuk merr pjesë në votime të marrëveshjeve dhe i bllokon ato, del kolegu ynë e na i shet këto- jo neni, projekti, tuneli, krejt kjo është demagogji. Prandaj i bëj apel qeverisë të lobojnë në BE për heqje të sanksioneve ndërsa Shala të loboj në partinë e tij t’i heq sanksionet me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë mbi 300 milionë euro që i ka blloku PDK-ja”- tha ai.

Edhe deputeti i LVV-së, Artan Abrashi tha se ishin të kota arsyetimet e deputetit Shala.

“E habitshme se si pamë këso arsyetimesh të paqëndrueshme nga partia që e mban pushtetin në Prizren për një projekt që është aspiratë historike e qytetarëve që jetojnë aty. A e din sa mundi është harxhu me e bind palën maqedonase për këtë projekt”- tha ai.

Edhe për këtë deklaratë, deputeti Shala pati një kundërpërgjigje.

Ai tha se është për me ndërtu rrugën, por jo me vjedh.

“Me projekte kapitale nuk vidhet. Në projekt e keni nis rrugën pa e dit ku është tuneli. Ku e keni projektin, ku e keni studimin, bazën ligjore? Nuk e dini as ku keni me hy në tunel. A e dini çka po bëni ju? Kjo është për prokurori. A e dini ku jeni ka shkoni? Jo me vjedh në emër të tunelit”- tha ai.

Më 13 gusht 2023, kryeministri Albin Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook ka thënë se bashkë me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë diskutuar edhe për rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas tij, në bazë të parallogaritjeve, kostoja e këtij projekti infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.

“Prej tyre afër 150 milionë euro janë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), e që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit. Ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që do të lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme sa për aktualitetin e qytetarëve, aq edhe për potencialin ekonomik e turistik”- ka shkruar ai.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.