Foto: ZKM

Në 11-vjetorin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, Kurti tregon se kur mund të flitet për "Asociacionin"

Në 11 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kjo marrëveshje në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

Sipas Kurtit, Serbia po insiston në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 që ishin shpallur antikushtetuese në pikat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, marrëveshja u shkel edhe nga Serbia në nenet e tjera të saj.

“Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi. Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia”- ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka theksuar se Serbia duhet të pranojë ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar që përmban njohjen de facto dhe adreson çështjen e Asociacionit sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kurtit, për Asociacion nuk mund të flitet pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit 2023 me Aneksin e Zbatimit të 18 marsit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel dhe “pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.

Kurti tutje ka thënë se në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë.

“E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Malit të Zi) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë”- ka thënë Kurti.

Më 19.04.2024 u bën 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, nënshkruan marrëveshjen 15-pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.