Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Mes shpresave të mëdha, Kosova në pritje për ta bërë hapin e parafundit për anëtarësim në KiE

Në Strasburg të Francës pritet të merret vendimi nëse Kosova do të vazhdojë ose jo drejt hapit të fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës (KiE).

Ky vendim parashihet të merret në pasditen e së martës, më datë 16.04.2024, në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të KiE.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës do të organizohet një debat dhe në fund do të votohet. Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Europës do të mbetet vetëm edhe hapi i fundit, i cili është vendimi i Këshillit Ministror, në të cilin nevojiten përsëri 2/3 të votave të ministrave të Jashtëm.

Kësaj date që Kosova po e pret prej kohësh, i hapi rrugë miratimi me sukses i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

George Kyris, profesor i Universitetit të Birminghamit, njëherësh themelues i organizatës “ECPR Statehood, Sovereignty and Conflict Research Network”, shprehet optimist që Kosova do t’i tejkalojë sukseshëm këta hapa kaq të rëndësishëm.

“Megjithatë, pranimi i Kosovës në KiE do të jetë shumë i rëndësishëm sepse të qenit pjesë e kësaj organizate dhe organizatave të tjera ndërkombëtare i mundëson një vendi të ndikojë në vendimet në nivel global dhe të përfitojë nga bashkëpunimi ndërkombëtar”- thotë Kyris për Kallxo.com.

Në Strasburg ndodhen ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti. Përveç tyre, aty ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme u shpreh optimiste që mundësia e parë për marrjen e vendimit përfundimtar do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Në këtë raport të miratuar u kërkua që Kosova të ftohet pa fusnotë, dhe rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Ndërkaq, kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Pas vendimit të fundit për Kosovën, autoritetet serbe kanë formuar një ekip, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës, gjë që bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.

Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Gjithashtu, opinioni i Bakoyannis i miratuar më 27.03.2024, kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Raporti rekomandon që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Me këtë fusnotë që Kosova prezantohet në nisma rajonale që nga viti 2012,  ishte pajtuar atëkohë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq ishte refuzuar nga opozita nën arsyetimet se dëmton shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Raporti i miratuar gjithashtu kërkoi që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën.

Një nga kushtet kryesore për vazhdimon tutje të Kosovës drejt Këshillit të Europës ishte zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e pronave në pronësi të Manastirit të Deçanit.

E, që ta çojë Kosovën në KiE, kryeministri Albin Kurti më më 13.03.2024 ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që vendimi i Kushtetueses të zbatohet.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”- tha Kurti para kabinetit të tij.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gërvalla, e kishte dorëzuar aplikacionin fizikisht.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Dy trupat kryesorë të KiE janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.