Fitim Doda, foto: Policia e Kosovës, 27.04.2024

Dosja e Prokurorisë për Fitim Dodën, i dyshuar për vrasje në tentativë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për Fitim Dodën, të dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë.

Doda dyshohet për një plagosje me armë zjarri që ka ndodhur më 26.03.2024 rreth orës 13:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Nga gjuajtja, një person mbeti i plagosur. Ai dhe i dyshuari tjetër i lidhur me ngjarjen, Arijan Sjarina, kanë qenë në arrati prej ditës që ka ndodhur ngjarja.

Doda është arrestuar më 24.04.2024 nga Policia e Kosovës, ndërsa Sjarina mbetet ende i paarritshëm nga organet e rendit.

Në dosjen e Prokurorisë së Shtetit që ka siguruar KALLXO.com, tregohet për ngjarjen si ka rrjedhur, deri te plagosja.

Sipas Prokurorisë, më 26.03.2024 rreth orës 13:53 pasi që Policia e Kosovës ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, në vendin e ngjarjes kishte gjetur të dëmtuarin Naim Berisha, me njolla gjaku në fytyrë dhe lëndime në anën e majtë të krahut.

Prokuroria thotë se Berisha u kishte treguar policëve se në drejtim të tij kishin gjuajtur me armë të dyshuarit Fitim Doda dhe Arijan Sjarina.

“…ku ka potencuar mes tjerash se në ditën kritike ka qenë duke kaluar rrugën dhe ata dy persona e hapën xhamin nga vetura dhe kanë filluar të gjuajnë me armë të gjata AK-47 dhe kjo ka zgjatur rreth 30 sekonda dhe kanë shtënë 10-11 herë në drejtim të tij” – thuhet në dosje.

Tutje, pretendohet se Berisha është goditur edhe nga një predhë e cila e ka gërvishtur në pjesën e përparme të kraharorit në anën e djathtë. Sipas Prokurorisë, Berisha ka deklaruar se personat e dyshuar i ka parë edhe 2-3 ditë para ngjarjes “duke u sillur nëpër rrugë”.

Pasi që ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, Prokuroria thotë se ka rezultuar se në ditën kritike shihet vetura Golf, pronë e tashmë të ndjerit Egzon Haziri, i cili ishte vrarë në ditën e njëjtë në orët e mbrëmjes, e cila veturë ndalon në udhëkryq të rrugës “Haxhi Zeka”, hapet dera e pasagjerit dhe dera e pasme dhe nga kjo veturë shihen të shtënat me armë zjarri.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, është e bazuar. Sipas aktvendimit, gjykata ka konsideruar se nëse lihet në liri, Fitim Doda mund të ikë nga Kosova, mund të mos bashkëpunoj me gjykatën, apo mund të ndikojë në dëshmitarë apo në procedurë.

Ndërsa avokati i Dodës, Bekim Kelani, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke pretenduar se kërkesa nuk i përmbush kushtet ligjore të parapara sipas KPPRK-së.

Sipas avokatit Kelani, klienti i tij Fitim Doda ka bashkëpunuar me policinë, nuk paraqet ndonjë rrezik se mund të largohet nga vendi, apo të ndikojë në dëshmitarë, pasi sipas tij, prokuroria nuk ka treguar se në cilët dëshmitarë mund të ndikojë.

Por Gjykata ka konsideruar se provat e mbrojtjes karshi provave të prokurorisë nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe të argumentuara, në raport me shkresat e lëndës.

“Gjykata me rastin e shqyrtimit të kërkesës për caktimin e paraburgimit, ka shqyrtuar edhe pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, që ndaj të pandehurit të aplikohen masat tjera më të buta, mirëpo sipas vlerësimit të gjyqtares së procedurës paraprake, aplikimi i masave të tjera nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e tij në procedurë, për të parandaluar ndikimin në dëshmitar apo ndryshimin e fakteve relevante, si dhe përsëritjen e veprës penale”– thuhet ndër të tjera në aktvendimin Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Veprat penale për të cilat dyshohet Fitim Doda janë “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjykata ia cakton një muaj paraburgim Fitim Dodës, të dyshuarit për vrasje në tentativë në Prishtinë