Foto: Kryeministri Albin Kurti në platformën "X"

Kurti pas takimit me O’Brien: Do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e ShBA-së

Një ditë pas takimit me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

“Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës ShBA-së për rolin qendror dhe mbështetjen për Kosovën në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”- ka shkruar Kurti në platformën “X”.

 O’Brien, i ka kujtuar kryeministrit Kurti nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti e O’Brien u takuan më 24.04.2024 dhe folën për hapat e nevojshëm që Kosova duhet të kalojë drejt integrimit euroatlantik.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë progresin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” – ka shkruar O-Brien në rrjetin social “X”.

Që nga viti 2011, BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Megjithatë marrëveshja ende nuk ka nisur të zbatohet.

Më 18.03.2023 ishte arritur Marrëveshja e Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.