Kuvendi i Kosovës shpreh ngushëllime për vdekjen e ish- senatorit amerikan Joe Lieberman

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca në hapje të seancës më 28.03.2024, në emër të Kuvendit të Kosovës i ka shprehur ngushëllime Senatit amerikan dhe familjes Lieberman, për vdekjen e ish- senatorit, Joe Lieberman.

Konjufca tha se Lieberman ka qenë anëtar i Senatit për 34 vite dhe një mik shumë i madh i Kosovës dhe interesave të saj.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës, i shprehim ngushëllime Senatit amerikan dhe familjes Lieberman për shkak se dje ndërroi jetë miku i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve, senatori amerikan, Joe Lieberman i cili për 34 vite ishte anëtar i Senatit amerikan dhe një mik shumë i madh i shqiptarëve dhe i interesave tona, i cili në çdo moment jo vetëm që nuk hezitoi, por në mënyrë të palodhshme mbrojti kauzën për lirinë e popullit të Kosovës. Prandaj, mendimet tona janë me familjen Lieberman dhe Senatin amerikan”- tha Konjufca.

Ish-senatori Joseph I. Lieberman ka vdekur në moshën 82 vjeç, njoftoi familja e tij në një deklaratë më 27.03.2024.

Në vitin 1998, senatori Lieberman ishte një avokat i zëshëm i ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së për të ndaluar masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ndërkaq më 29.03.2007, Senatori Lieberman pati prezantuar rezolutë me të cilën kërkohej që Shtetet e Bashkuara të mbështesin pavarësinë e Kosovës

Paraprakisht, deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën një minutë heshtje në përkujtim të masakrave në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Izbicë dhe Podujevë.

“Këto ditë që po i kalojmë janë ditë të kujtimit dhe të dhimbjes sepse pardje dhe dje ishte përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël. Dje ishte përvjetori i masakrës në Dardani të Pejës, kurse sot e kemi 25 vjetorin e masakrës së Izbicës në Skenderaj, e po ashtu edhe masakrat në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të Podujevës. Për të gjithë të rënët po propozoj ta mbajmë një minutë heshtje”- u shpreh Konjufca.