FSK-ja shpall ushtarin më të mirë për vitin 2024

Në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj sot, më 26.04.2024, u mbajt ceremonia përmbyllëse dhe u shpallën rezultatet e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”.

Kjo garë është realizuar nga data 22 e deri më 26.04.2024, me pjesëmarrjen e 51 konkurrenteve, 29 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

FSK njoftoi se pas shumë testimeve dhe sfidave që kaluan gjatë kësaj jave, rezultatet më të larta i arriti ushtari Sead Veseli nga Regjimenti i tretë i Këmbësorisë i cili e zuri vendin e parë dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2024”.

Ushtria e Kosovës njoftoi se i dyti u radhit Lavdim Ibishi, ndërsa vendi i tretë i takoi Endrit Shartollit.

“Në radhët e ndërkombëtareve vendin e parë e fitoi nënoficeri nga Jordania, WO Mohammed Yousef Ahmad, i cili njëherë u shpall “ushtari më i mirë ndërkombëtar 2024”, i përcjellë nga Sergeant Salameh Maddallah Salameh i cili u radhit i dyti po ashtu nga Jordania, ndërsa i vendi i tretë i takoi nënoficerit nga Mali i Zi, OR2 Zoran Marijanoviç” – njoftoi FSK.

Tutje u tha se në ceremoninë përmbyllëse të garës së ushtarit më të mirë morën pjesë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, zëvendëskomandanti i KDS-së kolonel Ilir Shyti, Rreshter majorët e FSK-së dhe vendeve partnere, si dhe oficerë e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.

Zëvendësministri Syla i falënderoi pjesëmarrësit në garën e ushtarit më të mirë 2024 dhe me këtë rast theksoi se kjo ngjarje është bërë tradite dhe vit pas viti po kulmon me rezultate.

“Jo vetëm që kemi fituar në fushat me të cilat merremi dhe përballemi çdo ditë, por edhe në shumë aspekte tjera të afrimit, shoqërimit, krijimit të shoqërive për të njohur kulturat traditat dhe për ti materializuar ato në vlera të përbashkëta në misionin e përbashkët që kemi” – tha Syla.

Gara e “Ushtarit më i mirë 2024” u njoftua se është organizuar nga rreshter majorët e Komandave dhe njësive të FSK-së, nën drejtimin e rreshter majorit të Komandantit të FSK-së Bedri Zuka.

Në garën “Ushtari më i mirë 2024” morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e veriut, Mali i zi, Jordania, Kanada dhe Latvia.

Pjesëmarrësit u tha se garuan në disiplinat testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.