Rreth 600 mijë euro për Sistemin i Informimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, i cili nuk mund të funksionalizohet pa sistemin e SISH-it

Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar rreth 600 mijë euro për të realizuar Sistemin i Informimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore (SIF).

Për mirëmbajtjen e këtij sistemi, për një vit, Ministria e Shëndetësisë i harxhoi 64 mijë euro.

“Kosto e mirëmbajtjes vjetore në vitin 2021, ishte 64,000.00 € për periudhën shkurt – tetor 2021. Kostoja e mirëmbajtjes vjetore në vitin 2022 ishte 64,000.00 € për periudhën shkurt 2022, janar 2023”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.

Por SIF-i nuk kryen asnjë funksion për Ministrinë e Shëndetësisë para se të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH).

“Momentalisht Fondi nuk shfrytëzon asnjë nga funksionet e Sistemit Informativ (SIF)”- thuhet në përgjigjen e U. D. drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri.

I pyetur se pse është funksionalizuar SIF-i para SISH-it, Kaçuri, ka thënë se ky sistem është funksionalizuar me kërkesë të menaxhmentit paraprak të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Sistemi i informimit te Fondi (SIF), është implementuar gjatë vitit 2019. Kërkesa me arsyeshmërinë për implementimin e këtij sistemi është bërë nga ish menaxhmenti i Fondit”- thuhet më tej në përgjigje.

Për implementimin e SIF-it, Ministria e Shëndetësisë përmes Qeverisë, ka marr kredi nga Banka Botërore.

“Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore miratoi më 13.05.2014, një kredi koncesionare prej 25.5 milionë dollarësh për Projektin e Shëndetësisë së Kosovës për të përmirësuar mbrojtjen financiare nga shpenzimet shëndetësore për të varfërit, dhe cilësinë e kujdesit për shërbimet për shëndetin prioritar të nënës dhe fëmijës dhe për sëmundjet jo-transmetuese në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

“Afati i maturimit i kredisë është 25 vjet, me një ‘greis periudhë’ 5 vjeçare. Marrëveshja për financimin e projektit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore është nënshkruar më 15.01.2015. Projekti ka hyrë në fuqi më 20.05.2015, pas ratifikimit të marrëveshjes për projektin nga Kuvendi i Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Ndërsa SIF-i ishte krijuar gjatë vitit 2019, në kohën sa ishte PDK-ja në qeverisje, Bekim Haxhiu, deputet nga kjo parti por edhe anëtar në komisionin për shëndetësi, ka thënë se ky sistem në atë periudhë kohore u ndërlidh në afate rekorde me Regjistrin Civil të Qytetarëve të Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Bankën Qendrore të Kosovës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Odën e Farmacistëve (listën e farmacistëve të licencuar), por edhe me Sistemin e Informacionit Shëndetësor (SISh – Basic HIS).

“Implementimi i e-recetës përmes – SIF, gjithashtu ndihmon në menaxhimin më të mirë të recetave mjekësore dhe uljen e gabimeve në dhënien e ilaçeve, duke ndikuar pozitivisht në cilësinë e shërbimeve shëndetësore të ofruara për qytetarët. Për të siguruar një përdorim të suksesshëm dhe të efikas të këtij sistemi të ri, u organizuan trajnime të gjera për farmacistët dhe përdoruesit e tjerë të SIF dhe të e- recetës”- tha Haxhiu

Për sa i përket mos shfrytëzimit të këtyre sistemeve, Haxhiu ka thënë se fajin kryesor e ka Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Ne kemi informatat si komision që prej vitit 2019 e tutje nuk ka pas asnjë lloj mbështetje apo iniciativë nga Qeveria dhe nga MSH për të punuar në drejtim të implementimit të sigurimeve shëndetësore, po ashtu fondi kishte operuar pa organin kryesor vendimmarrës (Bordin) pothuajse 2 vite që është një tjetër pengesë e madhe për të caktuar prioritetet dhe për të marr vendime lidhur me mbledhjen e premiumeve, finalizimit të listës bazike të shërbimeve shëndetësore, listën e barnave, finalizimin e akteve nënligjore që janë përgjegjësi e bordit, rritjen e kapaciteteve me staf, etj. Pra përgjegjësia kryesore për mos implemtimin dhe mos shfrytëzimin e këtyre sistemeve bie mbi Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë”- tha Haxhiu.

Pse është krijuar SIF-i?

“Sistemi Informimit të Fondit në vazhdim (SIF) është krijuar, mbi bazën e legjislacionit në fuqi dhe paraqet sistemin bazë për administrimin dhe menaxhimin e aktiviteteve që ndërlidhen me sigurimet shëndetësore. Sistemi i Informimit të Fondit mundëson menaxhimin shumë dimensional të funksioneve që ofrohen nga Fondi Sigurimeve Shëndetësore në kuadër të kornizës aktuale ligjore. Por, nëse një kornizë e tillë ndryshon, domosdoshmërisht implikon ndryshime dhe përshtatje të sistemit aktual”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Funksioni i Sistemit të Informimit të Fondit

SIF është krijuar për planifikimin dhe menaxhimi e buxhetit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kontrollimin dhe informimin automatik për statusin e shtetasve në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, pranimin dhe administrimin me premiumet shëndetësore të paguara nga bizneset, pranimin dhe administrimin me premiumet individuale të paguara vullnetarisht, administrimi me listën e barnave që ofrohen nga barnatoret e kontraktuara dhe rimbursohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, administrimin me listën e shërbimeve shëndetësore që ofrohen nga institucionet shëndetësore dhe rimbursohen nga Fondi Sigurimeve Shëndetësore.

SIF-i është krijuar edhe për kontraktimin e barnatoreve për ofrimin e barnave të rimbursuara, për komunikimin me sistemet e Institucioneve të Republikës së Kosovës (ARC, ATK, BQK, MFT, AKPPM, etj.) për ofrimin automatik të shërbimeve në kohë reale.

Ministria e Shëndetësisë tutje në përgjigjen e saj thotë se menaxhimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore, në të ardhmen kërkon sistem të avancuar të informimit.

“Pas funksionalizimit të skemës së sigurimeve shëndetësore pa një sistem të tillë është i pamundur menaxhimi efikas i një skeme komplekse”- thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Modulet e SIF dhe proceset që modulet mbulojnë

  1. Financa dhe kontabilitetit – Përmes këtij moduli mundësohet menaxhimi dhe administrimi me financat e Fondit.
  2. Regjistri i anëtarëve – Përmes këtij moduli administrohet Trungu i të Siguruarve dhe mundësohet informimi në lidhje me numrin e përfituesve të tyre.
  3. Regjistri i skemave sociale – Përmes këtij moduli ofrohen të dhënat nga skemat sociale, të cilat sipas ligjit janë përfitues të sigurimit shëndetësor.
  4. Mbledhja e kontributeve nga bizneset – Përmes këtij moduli mundësohet raportimi dhe mbledhja e kontributeve nga bizneset sipas Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
  5. Premiumet individuale – Përmes këtij moduli mundësohet lëshimi i urdhër-pagesës për të gjithë shtetasit që nuk kanë statusin “i/e siguruar” dhe dëshirojnë që në mënyrë vullnetare të jenë pjesë e Regjistrit të të siguruarve.
  6. Institucionet shëndetësore – Përmes këtij moduli mundësohet administrimi me institucionet shëndetësore sipas raportimeve me kode unike nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore të cilat kontraktohen nga Fondi për ofrimin shërbimeve shëndetësore.
  7. Barnatoret – Përmes këtij moduli mundësohet kontraktimi i barnatoreve dhe lejimi i ofrimit të shërbimeve përmes e-Recetës.
  8. Regjistri farmacisteve – Ky regjistër popullohet më të dhëna nga Oda e Farmacisteve të Kosovës, i cili shërben gjatë kontraktimit të barnatoreve.
  9. Barnat dhe shërbimet shëndetësore – Përmes këtij moduli ofrohet shërbimi i përcaktimit të përqindjes së rimbursimit nga Fondi për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
  10. E-Receta – Përmes këtij moduli mundësohet qasja e të gjitha barnatoreve të kontraktuara nga Fondi dhe ofrimi i barnave për pacientë sipas listës së përcaktuar të rimbursimit.
  11. E-Pacienti – Përmes këtij moduli mundësohet ofrimi informacioneve për pacientin në lidhje me statusin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe qasjen në historinë shërbimeve dhe barnave të marra.
  12. Administrimi – Përmes këtij moduli mundësohet administrimi dhe konfigurimi parametrave të sistemit.
  13. Asetet – Përmes këtij moduli mundësohet regjistrimi, zhvlerësimi, ri-vlerësimi dhe tjetërsimi aseteve.
  14. Tiketat – Përmes këtij moduli mundësohet raportimi problemeve në sistem nga përdoruesit fundor dhe trajtimi tyre nga administratori i sistemit, etj.