Policia suspendon kapitenin e dyshuar për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka suspenduar kapitenin, Riza Murati i cili po dyshohet për dhunë në familje. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Zyra e Informimit e Policisë së Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i kishte rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e kapitenit policor Riza Murati, i cili është shef i Sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

KALLXO.com raportoi më 18.04.2024 ekskluzivisht që Murati ka një vendim që ia ndalon t’i afrohet bashkëshortes së tij L. M. prej 50 metrash në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës.

Gjithashtu atij i ndalohet që të komunikojë me L. M., në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përmes personave të tretë, ta shqetësojë, manipulojë, ofendojë bashkëshorten e tij.

KALLXO.com ka siguruar vendimin që ka lëshuar Gjykata e Prishtinës për L. M., e cila më 12.03.2024 përmes Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka kërkuar urdhër mbrojtje.

Kjo për faktin se e njëjta e ka raportuar Riza Muratin për dhunë në familje, dhunë psikike, madje edhe fizike në të kaluarën.

Siç është njoftuar, hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte dhe deklarata lidhur me veprimet hetimore.

Që nga 12 marsi i këtij viti kapiteni i Policisë së Kosovës po hetohet për dhunë në familje, prokuroria hesht për veprimet e ndërmarra