Tërmet në Greqi

Një tërmet prej 5.7 ballësh ka goditur pjesën jugore të Greqisë, në brigjet e Peloponezit perëndimor.

Deri më tani nuk ka raportime për dëme apo viktima nga dridhjet e tokës, të cilat u ndien në kryeqytetin grek, Athinë, e deri në ishullin jugor të Kretës.

Tërmeti ndodhi mëngjesin e së premtes, më 29.03.2024. Epiqendra e dridhjeve të tokës ishte nën shtratin e detit afër ishujve Strofades, që gjenden rreth 120 kilometra në jugperëndim të qytetit Patras, tha Instituti Gjeodinamik i Athinës.

Në zonën e epiqendrës së tërmetit janë regjistruar edhe goditje pasuese me shkallë më të ulët të Rihterit.

Greqia gjendet në një rajon shumë aktiv sizmik dhe tërmetet janë të zakonshme. Shumica dërmuese e dridhjeve të tokës nuk shkaktojnë viktima dhe pak ose aspak dëme materiale./REL