Diaspora dërgoi rreth 112 milionë euro në mars, rreth 26 milionë euro më shumë se në shkurt

Diaspora ka dërguar rreth 26.55 milionë euro më shumë para në Kosovë gjatë muajit mars se sa në shkurt të vitit 2024.

Sipas të dhënave preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e remitancave (dërgesave) gjatë marsit ka qenë rreth 112.13 milionë euro, në shkurt ishte 85.58 milionë ndërsa në janar vlera e remitancave ka qenë 84 milionë euro.

Sipas të dhënave të BQK-së, në tre muajt e parë të vitit 2024, diaspora ka dërguar rreth 284 milionë euro.

Këto prurje, siç thotë BQK janë bërë më së shumti përmes institucioneve financiare jo-bankare, me 61.46 për qind, përmes banave komerciale 15.2 për qind dhe kanaleve të tjera 23.34 për qind.

BQK ka ofruar të dhënat edhe për asetet e kompanive të sigurimit dhe fondeve pensionale.

“Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit mars 2024, arritën vlerën e 314.83 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 2.11 milionë euro krahasuar me muajin paraprak” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të BQK-së, asetet e fondeve pensionale në mars kanë arritur vlerën e 2.87 miliardë eurove, e cila përfaqëson rritje për 74.14 milionë euro.