Hilmi Shala, Foto: Spitali i Përgjithshëm "Isa Grezda"-Gjakovë, Facebook

Hilmi Shala zgjidhet drejtor i Spitalit të Gjakovës

Hilmi Shala është zgjedhur drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, “Isa Grezda” përmes konkursit të hapur nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Ai grumbulloi 58 pikë në test dhe 29 pikë në intervistë.

Shala ka mbajtur këtë pozitë si ushtrues detyre që nga shtatori i 2023, kur ishte shkarkuar ish-drejtori, Jeton Zarari.

Ai ishte i vetmi kandidat që kaloi testin, sepse dy kandidatët e tjerë, Besart Gashi dhe Afrim Dervishi abstenuan në testin me shkrim.

Gashi është koordinator për sigurimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Gjakovës, ndërsa Dervishi është doktor.

Komisioni vlerësues i këtij konkursi përbëhej nga kryesuesja Shefkije Shatri – drejtoreshë e Spitalit të Vushtrrisë, dhe anëtarët: Ardian Shefkiu – drejtor i Departamentit për Shërbime Shëndetësore në ShSKUK, Gëzim Murseli – drejtor i Mjekësisë Sportive, Alban Janova – shef i burimeve njerëzore në ShSKUK dhe Zana Morina – zyrtare ligjore në ShSKUK.