Ilustrim

Kishte urdhër-arrest ndërkombëtar, Policia e Kosovës arreston shtetasin nga Maqedonia e Veriut

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase.

Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarit është bërë nga njësia Fast-Kosova në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dhe në mbeshtetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë-Ferizaj, më 19.04.2024.

“Pas një pune intensive në terren, (njësitë e Policisë) kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të arrestojnë në Ferizaj, një shtetas nga Maqedonia e Veriut. I dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase” – ka njoftuar Policia më 19.04.2024.

Sa i përket trajtimit të mëtutjeshëm të këtij rasti, Policia ka thënë se në koordinim me organet përkatëse do të zbatohen procedurat e parapara për raste të tilla.

Ata po ashtu kanë thënë se mbesin të përkushtuar dhe angazhuar që përveç angazhimeve për të ruajtur rendin e sigurinë e brendshme edhe do të angazhohen në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.