Komisionit hetimor për rezervat shtetërore nuk i vazhdohet mandati, reagon opozita

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ia ka vazhduar mandatin Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore duke e hedhur poshtë kërkesën e adresuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherësh ishte edhe kryesues i komisionit të cilit i ka skaduar mandati më 21.03.2024.

Këtë veprim, opozita e sheh si tentim të partisë në pushtet për të bllokuar hetimet që mund të zbardhin të vërtetën rreth rezervave shtetërore.

Në shenjë revolte, shefat e grupeve parlamentare të dy partive opozitare: Arben Gashi i LDK-së dhe Besnik Tahiri i AAK-së kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë.

Ata thanë se ky është një precedent që rrezikon demokracinë dhe jetën parlamentare.

Tahiri deklaroi se kërkesa e Qalajt është bërë në emër të opozitës dhe vjen për shkak se Vetëvendosje e ka pamundësuar funksionimin e komisionit për dy muaj e gjysmë.

“Për më shumë se dy muaj e gjysmë Vetëvendosje nuk i ka çu deputetët e vet, që nënkupton e ka pamundësuar funksionimin e komisionit”- deklaroi Tahiri.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se moszgjatja e mandatit ishte interpretim i Zyrës ligjore të Kuvendit,

Por, ai nuk e përjashtoi mundësinë që nëse ka vullnet dhe marrëveshje politike, komisionit mund t’i vazhdohet mandatit edhe për tre muaj.

“Ata në atë mënyrë po e interpretojnë ligjin, që komisioni hetimor parlamentar ka mandat vetëm 6 muaj. Mirëpo unë mendoj se nëse do të kishte vullnet dhe marrëveshje politike, ky nuk është kurrfarë problemi, mund t’i shtohen edhe tre muaj” – tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkaq, deputeti Gashi nga LDK e cilësoi ditën e sotme si njërën prej më të këqijave të parlamentarizmit në Kosovë.

“Nuk ka ndodh asnjëherë, asnjë shumicë parlamentare që të bllokojë qëllimisht, të sabotojë 6 muaj një komision hetimor parlamentar dhe në fund të pamundësojë vendimmarrjen në atë komision hetimor” – tha ai.

Secila parti shumicë në të ardhmen, sipas Gashit, mund të përdor të njëjtën metodologji të bllokimit të hetimit parlamentar.

Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës ka detyruar figurat më të larta të vendit të raportojnë në komisione hetime dhe përmendi shembullin e raportimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Për skadimin e mandatit të këtij komisioni, më 25.03.2024 ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) duke thënë se mbledhja e mbajtur atë ditë ka qenë e jashtëligjshme dhe në shpërputhje me Ligjin për hetim parlamentar.

Neni 4, paragrafi 2 i këtij ligji thotë se mandati i një komisioni hetimor parlamentar nuk mund të jetë më i gjatë se 6 muaj.

Edhe pse ky komision ishte themeluar më 21.09.2023 në Kuvend, ai nisi punën pas më shumë se një muaji, më 30.11.2023, për shkak se deri më atëherë Lëvizja Vetëvendojse kishte bojkotuar mbledhjet e komisionit.

Deputeti Halil Thaçi (LVV) kishte thënë se bojkotimi është bërë për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës.

“Ne si grup parlamentar kemi pasur një qëndrim publik, ne nuk kemi marrë pjesë në konstituimin e këtij komisioni parlamentar për arsye të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Pas reflektimit të një pjese të opozitës ne kemi vendosur që të jemi pjesë e konstituimit të këtij komisioni edhe pse qëndrimet për këtë komision dihen”- pati thënë Thaçi.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht 2023 nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.