Prokuroria e Prishtinës inicion rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rast ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Xhevat Krasniqi, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se Policia është autorizuar për të ndërmarrë veprimet hetimore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’. Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”- ka thënë ajo.

Ndërsa ka shtuar se aktualisht janë duke u marrë deklarata në kuadër të veprimeve hetimore.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e ka pezulluar nga puna profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Pezullimin nga puna të profesorit Krasniqi rektori e ka bërë pas rekomandimit të Këshillit të Etikës të UP-së.

Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhet se Këshilli i Etikës e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Pezullohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi, i raportuar për ngacmim seksual