Sllovenia lyp nga Serbia t'i kërkojë falje pasi Vuçiq e akuzoi për kurth rreth përfaqësimit të Kosovës në KS të OKB-së

Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka kërkuar nga Serbia një kërkim-falje lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së fundit të KS të OKB-së më 22.04.2024, i cili ka akuzuar disa shtete perëndimore, përfshirë edhe Slloveninë, se i kanë bërë kurth Serbisë.

“Çështja e Kosovës ishte zgjidhur tashmë për gjysmën e Perëndimit në verën e vitit 2008. Këtu, 16 vjet më vonë, ne ende po luftojmë për diçka. Vendimi për Srebrenicën është marrë gjithashtu shumë më herët. Nuk e di se si disa nga ju në Serbi nuk e kuptoni se ne po luftojmë për betejat e humbura nga të tjerët” – citohet të ketë thënë Vuçiq raporton media sllovene “Delo“.

“Është shokuese çfarë kanë bërë dje. Ata folën për gra të përdhunuara dhe kur një burrë e sheh këtë, është e vështirë për të. Por pastaj e kupton se ishte një kurth, kështu që nuk mund të reagoni. Mund të shihje se ata nuk ishin të shqetësuar, ata ishin të lumtur. Pyesja veten se për çfarë bëhej fjalë, por më pas zbuluam se ata kishin bërë një marrëveshje me amerikanët, sllovenët dhe zviceranët” – ka thënë Vuçiq.

Kjo deklaratë e tij është bërë lidhur me paraqitjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Delegacioni i saj përbëhej nga të mbijetuarat e luftës Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sulimani, Fahrije Hoti dhe Elhame Muqolli.

Ajo gjatë seancës ftoi presidentin Vuçiq t’u kërkojë falje atyre.

Ndërsa, shefja e diplomacisë sllovene Tanja Fajon i quajti fjalët e Vuçiqit fyese dhe të papranueshme. “Ne kërkojmë një shpjegim, një ndjesë, kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore apo miqësore” – ka thënë ajo sipas “Delo“.

Edhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, i ka cilësuar fjalët e presidentit serb si tejet fyese. Sipas tij, shprehje të tilla nuk i përkasin presidentëve të vendeve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes sllovenëve dhe serbëve.

“Këto shprehje na kujtojnë një kohë tjetër dhe janë të padenja për nivelin e arritur të marrëdhënieve mes dy vendeve” – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sipas “Delo“, Golob ka thënë se Sllovenia e kryen punën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi baza parimore dhe sinqerisht përpiqet të gjejë paqen dhe pajtimin midis kombeve.

“Sllovenia është e përkushtuar për këtë, edhe në lidhje me Serbinë, një qëndrim respektues ndaj këtyre përpjekjeve tona është pra më e pakta që mund të presim nga presidenti i Serbisë mike, i cili përndryshe është mysafir i rregullt në vendin tonë”.

Prezenca e të mbijetuarve të luftës në KS të OKB-së i pengoi Vuçiqit

Prezenca e të mbijetuarave të luftës në seancën e KS të OKB-së i kishte penguar Vuçiqit, i cili ka kritikuar delegacionin e Kosovës duke thënë se ato nuk e kanë vendin aty.

“Nuk e mora fjalën për replikë, por për diçka që ka ndodhur për herë të parë këtu. Keni sjellë persona që nuk e kanë vendin këtu, në thelbin diplomatik apo në ekipin e këshilltarëve të zonjës Osmani. Është pak a shumë një teatër politik dhe një kurth për delegacionin serb. Dhe çka po dëgjonim, isha shumë i foksuar nga një raport i Ziadeh dhe çka kemi dëgjuar deri tani ishte si një proces gjykimi i luftës për diçka që ka ndodhur 5 vite më parë, asnjë fjalë për raportin, asgjë për gjashtë muajt e fundit. Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit delegacion? A besoni me të vërtetë se nuk ka pasur të përdhunuara gra serbe në Kosovë në atë periudhë?”- kishte deklaruar ai.

Kryesuesja e seancës para se t’iaa kalonte Osmanit fjalën, tha se ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara.

“Në lidhje me delegacionin e Kosovës, nuk kemi të bëjmë asgjë me të. Ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara, sikur që nuk i tregojmë emrat e delegacionit tënd që është akredituar këtu”- tha kryesuesja.

Ndërkaq në kundërpërgjigjen e saj, presidentja Osmani tha se katër gratë që janë ulur pas saj, përveç se janë avokuese të drejtësisë, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Dua të informoj anëtarët e këtij këshilli që përveç që janë avokuese të drejtësisë, katër gratë që po ulen pas meje janë gjithashtu pjesëtarë të kabinetit tim. Pra ato janë këtu si pjesë e ekipit të këshilltarëve, sepse ato punojnë kauza që janë shumë të rëndësishme për zemrën time siç është mbështetja për gratë që janë të mbijetuara të dhunës seksuale, por edhe mbështetëse të familjeve që kanë vuajtur nga lufta”- ka deklaruar Osmani.

Presidentja gjatë fjalimit të saj ka përmendur masakrën e Poklekut, nga e cila ka mbijetuar Elhame Muqolli.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Tahiri Sulimani, të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesë e fjalimit të Osmanit ishte edhe Fahrije Hoti nga Krusha, ku u vranë një numër i madh i burrave disa prej të cilëve mbesin të zhdukur, duke përfshirë edhe bashkëshortin e saj.