'Brezovica 1' - I pandehuri për dhënie ryshfeti që ishte në arrati, me 20 mijë euro dorëzani mbrohet në liri

Prokuroria Themelore e Ferizajt më 16.04.2024 kishte njoftuar se ishte arrestuar një i dyshuar cili kishte qenë në kërkim për rastin e njohur si ‘Brezovica 1’, e të nesërmen më 17.04.2024 Gjykata e Pejës ka vendosur që i njëjti të lihej në liri përmes masës së dorëzanisë në shumë prej 20 mijë euro.

Bëhet fjalë për të pandehurin Liridon Domanekun, i cili dyshohet për dy vepra penale, “ushtrim ndikimi” dhe “dhënie ryshfeti”, e për të njëjtin prokuroria kishte kërkuar paraburgim.

Dorëzaninë, siç njofton Prokuroria e Ferizajt e ka propozuar mbrojtja e të dyshuarit, dhe është miratuar nga Gjykata.

Sipas përgjigjes së dhënë nga Prokuroria për KALLXO, me këtë propozim është pajtuar edhe Prokuroria e Shtetit dhe e njëjta është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 16 Prill 2024, kundër të pandehurit L. D., ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas Prokurorit të Shtetit, baza ligjore për paraqitjen e kërkesës ka qenë rreziku i ikjes së të pandehurit. Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit ka paraqitur propozim për masën e dorëzanisë në shumë prej 20,000( njëzet mijë ) euro dhe në seancën për caktimin e paraburgimit të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, më datën 17 Prill 2024 , të pandehurit iu ka caktuar masa e dorëzanisë, me të cilën masë është pajtuar edhe Prokurori i Shtetit dhe është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajt.

Për këtë rast aktakuza është ngritur më 09.12.2022 nga Prokuroria e Ferizajt ndaj kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.

Nikoliq akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Nikoliq sipas Prokurorisë po dyshohet se për dhënien e lejeve ndërtimore në Brezovicë ka pranuar para në vlerë 940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.

Dosja e prokurorisë

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Bratisllav Nikoliq si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend-zonës në Brezovicë, me ç’rast do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në njoftim thuhet se për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë​ se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Për të pandehurin D. R., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, si person zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit”. Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, njoftoi Prokuroria e Ferizajt.

Tutje në njoftim thuhej se për të pandehurit D. R., H. B., dhe D. M.,- ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 dhjetor 2021,në bashkëveprim, si persona zyrtar, i pandehuri i parë drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, kurse i pandehuri i dytë dhe i tretë  si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit, tani Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Shtërpcës, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në pajtim me nenin 24 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që pas marrëveshjes që të lejojnë ndërtimet pa leje, në mënyrë që të përfitojnë dobi pasurore për vete, me këtë kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Po ashtu, ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer në bashkëkryerje edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndaj të pandehurit S. M., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014, si person zyrtar, shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës, dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar para për vete që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfeti”  nga neni 428 par.2 e KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga nen 366 par.1 të KPRK-ës.

Për të pandehurin A. Ç. ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë vitit 2016 dhe 2017, si person zyrtar – Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së.

Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Për të pandehurin B. H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 20 dhjetor 2021, si person zyrtar  -Kryeinspektor në MMPH, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në pajtim me nenin 7 të  për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk ka ndërmarr veprimet ligjore-ekzekutive, për të ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Parkun Kombëtar ,,Sharri’’, vikend-zona e Brezovicës, edhe pse ishte në dijeni se objektet ishin duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore dhe në afërsi të lumit, kurse disa ndërtime edhe në zonën e dytë të Parkut, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së.

Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par 1 të KPRK-së.

Për të pandehurin M. H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar-shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH-së, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në pajtim me nenin 8 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Për të pandehurin H. A., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2014 deri  2016, si person fizik, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-

Ndaj të pandehurit S. S., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B. N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 të KPRK-së, me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë” nga neni 428 par.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Ndërsa, ndaj J. K., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B. N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat  zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë” nga neni 428 par.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Kurse, ndaj R. B., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 dhjetor 2021, si person zyrtar – shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së. Po ashtu, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 të KPRK-së

Prokurori i çështjes Rasim Maloku, me rastin e ngritjes së aktakuzës, kishte propozuar që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.