Jeta në Kosovë interviston Blerta Zeqirin

Si pjesë e edicionit special, me njerëz të cilët janë shembull se si mund të punohet e të arrihen suksese në Kosovë, përkundër vështirësive që mund të jenë, këtë të enjte “Jeta në Kosovë” prezanton punën e regjisores Blerta Zeqiri.

Blerta Zeqiri ka fituar çmime për regjinë e filmit “Kthimi” në Sundance, e në Sarajevë.

Emisioni e ndjek karrierën e saj prej kur ajo si 15-vjeçare, në vendlindjen e saj në Suharekë, e themeloi grupin muzikor “BAM”, i pari në Kosovë i përbërë vetëm prej femrave që këndojnë REP. Zeqiri ishte vokaliste e grupit.
 
Si arriti një repere nga Suhareka të studiojë filmin në Francë? Cilat ishin momentet më të vështira të jetës së saj? Sa merret seriozisht një regjisore femër në Kosovë?

A mund të gjesh punë si artiste në Kosovë? A mund ta ushqesh familjen duke fituar me art, edhe nëse je artist i suksesshëm?

Çka thonë “Stupcat”, të cilët kanë punuar në filmin e temës së diplomës së Zeqirit dhe aktorët e “Kthimit”, për atë se si ishte të punosh me një regjisore si Blerta Zeqiri?

Ky emision është xhiruar në muajin mars dhe pasohet me pyetjet nga publiku, shumica nga ta studentë.

“Jeta në Kosovë”, çdo te enjte nga ora 20:20, dhe repriza të premten, në mesditë.