Koalicioni opozitar shqiptar në Maqedoni të Veriut thotë se ka fituar votën e shqiptarëve

Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN, ka thënë janë të lumtur sepse “kanë fituar votën e shqiptarëve”.

Ai shtoi se dalja masive e qytetarëve në zgjedhjet e sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut (24.04.2024) paralajmëron ndryshimin.

“Tërmeti nisi sot me pjesëmarrjen masive, por dridhjet e fundit do të jenë më 8 maj kur janë zgjedhjet parlamentare” – tha Taravari në një konferencë për media.

Taravari nga opozita shqiptare tha se vota e shqiptarëve nuk duhet të preket.

“Të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit tanë janë ata që e kanë në dorë fitoren dhe i garantojmë se votat do të jenë të sigurta” – shtoi ai.

Për fitore janë shprehur të bindur edhe nga partia tjetër shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila kandidon me Bujar Osmanin.

Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, ka thënë se presin fitore të madhe, me diferencë të madhe.

“Ne presim të kemi fitore te madhe, me diferencë te madhe. Fitore historike. Kemi pasur një lum njerëzish për vullnetin e tyre. Presim qe fitorja të jetë historike për kandidatin tonë Bujar Osmani” – tha Ademi në një konferencë për media.

Ai ka thënë se sipas të dhënave të tyre nga votimi i shtetasve në diasporë, Bujar Osmani radhitet i dyti dhe se presin që ai vullnet të reflektohet edhe brenda vendit pas numërimit të votave.

Qytetarët në Maqedoni të Veriut u janë drejtuar kutive të votimit më 24.04.2024 për të zgjedhur presidentin e shtetit.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut, ku gjendja ka qenë e qetë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në nivel vendi deri në orën 17:00 kanë votuar 397.612 votues, gjegjësisht 44.18 %.

Në garë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

Ndërkaq nga opozita maqedonase, nga VMRO DPMNE-ja, kandidate për presidente është Gordana Silanovska Davkova.

Kurse nga partitë shqiptare janë dy kandidatë: Bujar Osmani nga koalicioni i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe nga opozita shqiptare koalicioni VLEN kandidon me Arben Taravarin, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Gostivarit.

Përveç tyre kandidatë janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.