Sulmi ndaj Taulant Byqmetit

KF ‘Drita’ mbron drejtorin e saj pas incidentit, nuk e shkarkon nga pozita

Kryesia dhe stafi drejtues i Klubit të Futbollit “Drita” nga Gjilani, ka reaguar pas incidentit në të cilin dyshohet se ishte i përfshirë drejtori i saj Valon Zymberi.

Drejtori sportiv i FC “Drita” Valon Zymberi dhe dy persona tjerë ndodhen në paraburgim prej 48- orësh pas sulmit fizik që dyshohet se bëri ndaj liderit të grupit të tifozëve, të këtij klubi, “Intelektualët”, Taulant Byqmeti.

Përmes një njoftimi KF “Drita” ka bërë të ditur se pavarësisht zhvillimeve rreth incidentit, nuk do ta largojë nga pozita Zymberin.

“Ju konfirmojmë që deri sa z. Zymberi nuk shkel statutin e kompanisë tonë do të jetë në pozitën të cilën e ka pasur deri më tani”- thuhet në njoftim.

“Drita” ka bërë të ditur se e dënon sjelljen e drejtorit të saj, por ka thënë se këtij incidenti i ka parapërirë një historie të gjatë tensionesh dhe urrejtjeje mes  Zymberi dhe të tifozëve “Intelektualët”.

Sipas Dritës incidentit i kanë ndihmuar edhe “persona nën hije”, që siç thuhet në njoftim, manipulojnë me tifozët për interesat personale.

“Në rastin e sulmit të ndodhur, është e qartë se reagimi i Drejtorit Sportiv është ndikuar nga faktorë emocional dhe tensione të krijuara nga përballja me sharjet dhe presionin psikik duke i përmendur ngjitjen e fotografive nëpër shtylla dhe vende publike të Valon Zymberit me sharje dhe nënçmime. Drejtori Sportiv z. Valon Zymberi është sharë me grua, motër dhe vajzë në prani të familjarëve”- thuhet në njoftim.

FC Drita, thotë se mbështet vlerat e respektit dhe bashkëpunimit, dhe se veprimet e dhunshme nuk përputhen me vlerate tyre.

“Klubi është një biznes i regjistruar sipas ligjeve të Kosovës dhe menaxhohet nga dy pronarë legjitim, dhe nuk lejojmë ndikimin e jashtëm në vendimet tona të menaxhmentit. Prandaj, ju konfirmojmë që deri sa z. Zymberi nuk shkel statutin e kompanisë tonë do të jetë në pozitën të cilën e ka pasur deri më tani”- thuhet në njoftim.

Megjithatë, thuhet të tej në komunikatë, është e rëndësishme të theksojmë se Drita justifikon në asnjë formë të dhunës ose agresionit, pavarësisht nga arsyetimi.

FC Drita thotë se ka besim tek institucionet e drejtësisë për të trajtuar çështjet në mënyrë të drejtë dhe profesionale.