Aktakuzë ndaj dy personave, dyshohen se trafikuan për shërbime seksuale të miturën

Prokuroria Themelore në Prizren të premten më 29.03.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘ shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.

Sipas aktakuzës, i pandehuri M. P., gjatë periudhës kohore, qershor – korrik të vitit 2021 në Prizren kishte angazhuar të miturën si “valltare” apo “shoqëruese e klientëve” në lokalin e tij e më pas me forcë të njëjtën e detyron të ofroj edhe shërbime seksuale edhe në banesën e tij, konkretisht edhe të pandehurit L. H., i pandehuri i dytë.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri M. P., ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz”, ndërsa, i pandehuri L. H., veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” nga neni 228 sipas KPRK-së”- thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.