Foto: Komisioni i Pavarur i Mediave/ Facebook

Raporti i Freedom House, AGK: Qeveria në fushatë kundër gazetarëve, me përpjekje për politizim të KPM-së

Në raportin e Freedom House për lirinë e medias ndër tjera është trajtuar edhe çështja e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), dhe e Projektligjit të KPM-së.

Në raport përmendet përzgjedhja e Luljeta Aliut nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për anëtare të KPM-së, duke e quajtur atë “një analiste politike e cila e mbështeti hapur partinë në pushtet”. Aliu ishte zgjedhur anëtare e KPM-së më 24.05.2023, me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Në maj, ligjvënësit e Vetëvendosjes votuan Luljeta Aliun, një analiste politike e cila mbështeti hapur partinë në pushtet dhe është në linjë me politikat e saj, në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM). AGK kishte kundërshtuar se zgjedhja e një mbështetëse të qeverisë në organin rregullator të transmetimit të Kosovës sinjalizon qëllimin e qartë të partisë për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura të medias”- thuhet në raport.

Raporti gjithashtu prekë edhe çështjen e Projektligjit për KPM-në, përmes të cilit synohet të bëhet harmonizimi i rregulloreve të vendit me Direktivën e BE-së për Shërbimet Media Audiovizive të vitit 2018, e që është ende në pritje të miratimit nga Kuvendi.

Freedom House thekson se figura të njohura të medias kundërshtuan atë duke thënë se ai ishte hartuar pa konsultim paraprak me palët përkatëse të interesit dhe se ky projektligj është një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar mediat online.

“Në dhjetor të vitit 2023, miratimi i projektligjit nga qeveria u prit me kritika nga mediat në Kosovë. Figura të njohura të medias e kundërshtuan atë duke thënë se ai ishte hartuar pa konsultim paraprak me palët përkatëse të interesit dhe se dispozita e ligjit që kërkon licencimin në KPM të mediave online është përpjekje e qeverisë për të kontrolluar mediat online dhe shkel standardet e vendosura nga Këshilli i Evropës dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE)”- theksohet raport.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar në lidhje me gjetjet e raportit të Freedom House. Sipas AGK-së, ky raport  liston një sërë problemesh me të cilat gazetarët dhe mediet janë ballafaquar gjatë vitit 2023 në Kosovë.

Aty përmenden shifrat e AGK-së për totalin e sulmeve deri në tetor 2023, me 30 prej tyre që kanë ndodhur në veriun e Kosovës, në mujat maj dhe qershor.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Luljeta Aliu ishte zgjedhur anëtare e KPM-së më 24.05.2023, me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Aliu – Krasniqi ka qenë në garë me kandidaten tjetër Violeta Hyseni -Kelmendi, për pozitën anëtare grua në KPM.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) ishte shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar me vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Aliu-Krasniqit anëtare të KPM-së.

Në reagimin e Qendrës thuhet se Luljeta Aliu-Krasniqi ka mbështetur publikisht partinë në pushtet, LVV-në.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjedhur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Aliu ka përkrahur me zë, rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe politikën e saj. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”- thuhet në reagimin e ECPMF.

Në lidhje me projektligjin për KPM-në, organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me të.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, më 25.03.2024 është mbajtur një dëgjim publik në lidhje me këtë projektligj, në të cilin diskutim aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të tjerë të interesuar kanë pasur mundësinë që të adresojnë komente sa i përket këtij ligji.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë se shqetësimi kryesor i saj është se ky projektligj lejon që edhe partitë politike e bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio.

Një shqetësim tjetër, sipas Kusarit, është edhe përbërja e anëtarëve të KPM-së. Ajo ka thënë se ligji aktual e detyron që të ketë së paku dy gra në KPM, ndërsa projektligji aktual e ka hequr këtë detyrim.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se kjo organizatë vazhdon ta kundërshtojë idenë që mediat online që prodhojnë video të regjistrohen në KPM. Ai ka thënë se një vendim i tillë nuk duhet të shkojë më tutje.

Kurse Kreshnik Gashi si përfaqësues i organizatave Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova dhe Internews Kosova, i ka pasur dy propozime në lidhje me këtë projektligj.

Propozimi i parë i tij është që KPM-ja të mbajë regjistrimin e mediave online që prodhojnë video, por që të ketë një filtër nga ana e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, sa i përket shkeljes së etikes.

“Kemi propozuar që në fillim të kemi një model ose dy, që ankesa për shkelje të Kodit të Etikës të mediave online të cilat publikojnë video, fillimisht me u dorëzu te KMSHK-ja. Ose modeli tjetër, ato me u dorëzu në KPM, mirëpo para vendimmarrjes, KPM-ja me pasë obligim që me marrë një mendim prej KMSHK-së” – ka propozuar Gashi.

Propozim tjetër për t’u përfshirë në Ligjin për KPM-në, ka qenë që të bëhet deklarimi financiar i mediave.

Me 07.03.2024, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili ka ngjallur debat nga ana e aktivistëve dhe gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Edhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare dhe rajonale i janë bashkuar kërkesës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës drejtuar Qeverisë së Kosovës që ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi.

Ndërkohë, edhe Qendra Europiane për Shtyp dhe Liri të Medias (ECPMF) përmes një komunikate i ka bërë thirrje urgjente Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta rishikojë këtë Projektligj.

Sipas kësaj qendre, mungesa e transparencës gjatë hartimit të këtij projektligji ngre shqetësime, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi kishte thënë se ky projektligj është në harmoni të plotë me direktivën e Bashkimit Europian për Mediat.

Ngriten shqetësime se Projektligji për KPM-në lejon partitë politike dhe bashkësitë fetare të hapin televizione