Drejtpërdrejt - Heshtja e ngacmimeve seksuale
Në emisionin KallxoPernime është duke u diskutuar vendimi i Universitetit të Prishtinës për pezullimin e profesorit të rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, të denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.
– Ku dështoi Këshilli i Etikës në trajtimin e këtij rasti?
Më 23.04.2024, Krasniqin e ka pezulluar nga puna rektori i UP-së, Qerim Qerimi pas rekomandimit të Këshillit të Etikës së UP-së që ai të jetë i pezulluar derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit lidhur me denoncimin për ngacmim seksual.
Ky vendim i KE ndaj Krasniqit vjen pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.
Tri javë më parë, më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë të UP-së, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori Krasniqi.
- A tentoi Këshilli i Etikës i UP-së të blejë kohë duke e dërguar rastin në insitucionet të cilat marrin kohë për ta hetuar?
- A do të ketë ankimim në këtë vendim të Këshillit të Etikës nga studentet që e kanë deponuar ankesën ndaj profesorit Krasniqi?
- Pse pati vonesa në këtë vendim dhe u desht presion aq i madh i protestuesve deri te suspendimi i profesorit të raportuar për ngacmim nga kaq shumë palë?
Të gjitha këto çështje po diskutohen nga të ftuarit në emision: Blerim Saqipi – Dekan i Fakultetit të Edukimit në UP, Jonuz Salihaj – njohës i arsimit, Hilmi Jashari – ish-avokat i popullit, Neri Ferizi – aktiviste, Blenda Asllani – aktiviste nga Lëvizja Feministe Studentore dhe Kreshnik Gashi – redaktori i Kallxo.com.
Emisioni po transmetohet në RTV Dukagjini dhe KALLXO.com.