Ndërtesa e Këshillit të Europës

Në rendin e ditës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim

Në rendin e ditës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të datës 16.04.2024 do të jetë edhe debati për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Kështu është thënë në rendin e ditës të publikuar nga Këshilli i Europës, teksa është treguar edhe për raportimet që do të bëhen.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE është përfshirë si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Më 27.03.2024, Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris ka rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.