Ekspertja e Këshillit të Europës kritikon komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në

Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin ka kritikuar punën e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosoëvs në lidhje me punën në Projektligjit të shumë-diskutuar për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Gjatë mbledhjes së Komisionit që zgjati gati tetë orë të premten, qëndroi ekspertja Kevin, e cila gjatë shqyrtimit të projektligjit ka dhënë komentet e saj.

“Nuk ju interesojnë standardet e KiE-së, kjo vërtet nuk po ka ndikim”- tha mes tjerash ajo.

Ekspertja tha se komentet e saj kanë të bëjnë me një varg çështjesh sa i përket përkufizimeve.

“Komentet e mia kanë të bëjnë me një varg çështjesh sa i përket përkufizimeve, mirëpo s’po hyj në detaje. Po më duket që jam duke ‘goditur murin me kokë’ sa herë që po bëj komente. I dëgjuat propozimet e mia dhe ka nevojë me i kualifikuar ato sepse do të vjen dikush pas jush që do të shpërdorojë me këtë. Shumica e këtij ligji ka qenë shumë afër mpër tu harmonizuar me direktivën, por janë disa dyshime të vogla që më është kërkuar t’i analizoj. Me rekomandimet e KiE dhe BE-së që po i fusin në direktivat e veta, jeni shumë afër ta keni aatë si ligj të përkryer. Është kthim mbrapa të fshihet edhe neni për pronësinë e mediave nga politikanët dhe kjo ka qenë e habitshme, duhet të ketë një arsyetim mrapa saj”- shtoi ekspertja Kevin.

Ekspertja e Këshillit të Europës pati kritika për nenin në projektligjin për KPM-në, i cili parasheh mundësinë e shkarkimit të anëtarëve të KPM-së, nëse nuk iu miratohet raporti vjetor.

“Ky është kërcënim për pavarësinë e KPM-së. Ata e kanë frikën që nëse ata nuk na miratojnë raportin do t’i shkarkojnë. Kjo është jashtë linjës së standardeve të BE-së”- shtoi zyrtarja europiane.

Më tej Kevin tha se në asnjë vend të BE-së nuk ka vend për parlamentin që të shkarkojë anëtarë të KPM-së, e që sipas saj, është shumë e pazakontë të shkarkohet i gjithë komisioni.

“Nëse doni mos me hi ne telashe me KiE, pse nuk keni një legjislacion që përkrah lirinë e të shprehurit.  Është rreziku i shkarkimit vetëm me mos miratimin e raportit”- tha ekspertja e KE-së.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani (LVV), nuk u pajtua me deklaratat e ekspertes.

“Unë mendoj që disa çka i keni thënë ju ne i kemi fut si amandamente, nuk po mendoj që është fer (e drejtë). Mbi 90% janë në harmoni me BE-në”- tha ai.

Sot më 26.04.2024, Komisioni për Media, ka shqyrtuar në lexim të dytë disa nene të projektligji. Komisioni pritet që javën tjetër të caktojë një mbledhje për vazhdimin e punës.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Më 07.02.2024 Komisioni për Media kishte miratuar në parim projektligjin për KPM-në.