Ministrja Gërvalla për kalimin e hapit të parafundit të Kosovës drejt KiE-së: Fitore e Europës

“Fitore e Europës” është quajtur nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla – Schwarz, miratimi i raport-opinionit ku rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Ky raport i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis u votua me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Gërvalla tha se kjo votë masive vjen edhe nga deputetë të shteteve që s’e njohin Kosovën.

“Nuk është vetëm votë e shteteve njohëse, por është konfirmim edhe i disa prej deputetëve të shteteve jonjohëse” – tha ajo.

E pyetur nëse është kjo fitore ndaj Serbisë, ministrja Gërvalla u përgjigj se kjo është një fitore e Europës dhe e shteteve demokratike, të cilat sot konfirmuan se Kosova është pjesë e tyre.

“Është shumë më tepër një votë për Kosovën se sa që është një votë kundër diçkaje tjetër” – tha ajo.

“Natyrisht se ne nuk kemi pritur sjellje tjetër nga Serbia. Ne kemi pritur që të jenë destruktiv deri në fund. Mirëpo, ata e morën përgjigjen e tyre sot dhe ne shpresojmë që kjo t’u bëhet mësim për në të ardhmen, sepse Kosova e ka vendin në mesin e shteteve të përparuara dhe demokratike dhe nuk do të  ketë asnjë fqinj mundësi që ta ndal në këtë rrugë” – shtoi Gërvalla lidhur me përpjekjet e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Ajo tha se shpreson që edhe në javët e ardhshme bisedat do të jenë të mira dhe do të çojnë në anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE në maj të këtij viti.

“Ky ambient sot, këta deputetë, këta delegatë të Këshillit të Europës sot kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar absolutisht të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në KiE. Gjithçka tjetër që mund të lindë gjatë ditëve të ardhshme nuk është në përputhje me këtë votë masive që morëm sot” – u shpreh ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se “si gjithmonë Kosova do të jetë e pranishme në çdo bisedë dhe dialog i cili do të na kërkohet nga miqtë tanë për maj dhe jam shumë e bindur që do të bëjmë maksimumin”.

Ajo pati dy fjalë edhe për raportuesen për për Kosovën, Dora Bakoyannis, për të cilën tha se ka treguar guxim me raportin që ka hartuar pasi ka vizituar Kosovën dhe pasi ka trajtuar raportet e juristëve eminentë dhe të anëtarëve të tjerë të delegacionit.

“Unë e di që ajo ka qenë goxha e rreptë dhe jo e lehtë në bisedat edhe me ne, mirëpo ky përfundim i sotëm dhe argumentet që ajo ka paraqitur sot duke konfirmuar progresin e Kosovës janë bindëse, prandaj edhe me zonjën Bakoyannis lidhet kjo votë e dhënë sot” – përfundoi ministrja Gërvalla.

Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap për të arritur të bëhet anëtare e Këshillit të Europës (KE).

Në Asamblenë Parlamentare sot, më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e Kallxo.com që ndodhet në Këshillin e Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.

2/3 e votave do i duhen Kosovës edhe në hapin e fundit dhe përfundimtar në ministeralin që pritet të mbahet në maj nga votat që do të hudhin ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.