Viola von Cramon kërkon nga Serbia ta ndalojë menjëherë pasivizimin e adresave të shqiptarëve

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon ka kërkuar nga Serbia që menjëherë të ndalohet pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Një kërkesë të tillë ndaj Serbisë, von Cramon e ka bërë pasi që takoi në Parlamentin Europian, deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ky i fundit gjatë vizitës në Strasburg është takuar edhe me eurodeputetin austriak Lukas Mandl.

“Diskriminimi sistematik ndaj tyre, duke përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave, nga Qeveria e Serbisë është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë”- ka shkruar von Cramon në rrjeytin social “X”.

Edhe Shaip Kamberi ka shkruar që gjatë takimeve në Parlamentin Europian kanë diskutuar për diskriminimin e shqiptarëve të Luginës dhe për rëndësinë e trajtimit të barabartë dhe të lirive individuale dhe kolektive, duke u bazuar në normat e konventave ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut.

“Për ne, bashkëpunimi me miqtë dhe partnerët tanë është jetësor për të arritur qëllimet tona dhe për të ndikuar në ndryshimet e nevojshme për të siguruar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”- ka shkruar Kamberi në Facebook.

Foto: Viola von Cramon në platformën X.

Në Parlamentin Evropian (PE) në vitin 2022 ishte miratuar rezoluta për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.

Problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Serbinë, kur është përmendur respektimi i të drejtave të minoriteteve.

Në raportin për vitin 2022 përmendet edhe që pjesëtarët e pakicës shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohet adresa e tyre e banimit.

Edhe politikanët tjerë shqiptarë në Luginë të Preshevës, prej vitesh kanë ngritur shqetësimin se Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, me qëllim, siç thanë, të ndryshimit të strukturës etnike të këtyre komunave.