Pamje nga ekspozita ‘Experience’. Foto:SHO.

‘Një udhëtim në botën e artit dhe teknologjisë’, ekspozitë e veçantë e Shuk Oranit në Gjermani

Veprat e krijuesit multimedial, Shuk Orani vazhdojnë të jenë të ekspozuara në “Marktplatz der Manufakturen” në Hamburg të Gjermanisë.

E hapur në mars të këtij viti, ekspozita “Experience”, rezultat i bashkëpunimit të tij me “Marktplatz der Manufakturen” dhe “Atelier SO”, sjellë në vëmendje një përqendrim të jashtëzakonshëm në artin e kohës sonë.

Në një hapësirë prej 2 000 m2 janë ekspozuar mbi 28 vepra (në piktura vaj mbi kanavace) me mbi 2 metra madhësi.

Në kuadër të kësaj ekspozite (hapur më 13.04.2024), janë planifikuar disa aktivitete të veçanta.

Veprat artistike të krijuesit Orani janë ekspozuar në institucione të njohura botërore si: MOCA në Pekin, Louvre në Paris, Galleria Farini Concept në Itali, TSAI Museum në Taipei, New Gallery në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në Sotheby’s në Hamburg.

“Në këtë ekspozitë të radhitur në formë muzeale në më shumë së 9 atelie dhe galeri përbrenda këtij kompleksi, janë të ekspozuara 28 vepra të formatit të madh, mbi 2 metra,  si dhe një pjesë e kuratuar e më shumë se 45 veprave të formateve më të vogla. Ciklet e veprave janë të ndara në galeri veç e veç. Të prezantuara janë ciklet: The Game, Transcendence, Homosaphia 2000, Omage GK, History H, B17, Limitless, etj.”- ka thënë Orani për KALLXO.com.

Shuk Orani. Foto: Facebook/SHO.

Përveç kësaj ekspozite kryesore në një hapësirë prej 2000m², sipas Oranit, është planifikuar edhe shfaqja e punëne të Alex Klauck. Ndërsa, një tjetër moment i veçantë i kësaj është edhe debutimi dhe ekspozita e parë e veprave të Kenta Harukit në Evropë,  dhe një program i muzikës nga violinisti Nathan Paik.

Eveniment kulminant i ekspozitës së Oranit ishte hapja programit-ekspozitës, “Experience.NFT”; ‘Arti digjital dhe NFT në qendër të vëmendjes’, që u hap më 13 prill 2024.

Ekspozita, sipas Oranit sjellë së bashku artistë, koleksionuesë dhe të pasionuar me artin për të festuar lindjen e një platforme të re artistike: “Experience.NFT”.

“Në këtë manifestim të artit digjital dhe NFT, kuratori Hauke Hatzelhoffer ka udhëhequr rrugëtimin nëpër krijimtarinë e përzier me teknologjinë. Si themelues e MagallArt dhe Urban Artist Club, Hatzelhoffer ka sjellë në fokus potencialin e pakufishëm të teknologjisë ‘bllokchain’ për të transformuar mënyrën se si shohim, krijojmë dhe tregtojmë artin”- ka potencuar Orani.

“Experience.NFT”, sipas tij, shënon rrugën përpara për artin digjital dhe NFT, duke hapur dyert për një botë të re të mundësive kreative dhe shpirtërore.

“Nëse kjo është një shenjë e asaj që vjen, atëherë jemi të gatshëm për një udhëtim emocionues në botën e artit të ardhshëm. Në një ngjarje që ka shënuar fillimin e një epoke të re në botën e artit, Ekspozita “Experience” ka hapur dyert e saj më 15 mars 2024, duke shënuar një udhëtim të frymëzuar nga teknologjia dhe kreativiteti digjital”- ka thënë Orani.

Ekspozita “Experience”, deri më 25 maj 2024 premton të japë një përvojë të jashtëzakonshme për dashamirësit e artit modern.