Gjykata vendos për të dyshuarit për sulmin fizik ndaj kryetarit të tifozëve ‘Intelektualët’

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për të dyshuarit për sulmin  fizik ndaj kryetarit të tifozëve “Intelektualët”, Taulant Byqmeti, për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe me paraqitje në stacionin policor.

Drejtori sportiv i Klubit të futbollit “Drita”, Valon Zymberi dhe dy persona tjerë dyshohen se më 24.04.2024, e kanë sulmuar fizikisht Byqmetin në lokalin e tij.

Ndaj të dyshuarve, Gjykata në Gjilan e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë.

“Gjyqtari ka nxjerr aktvendim, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe paraqitja në Stacionin Policor”- ka thënë për KALLXO.com, Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës së Gjilanit.

KALLXO.com raportoi për daljen para gjykatës të të dyshuarve në këtë rast si dhe deklarimet e tyre.

“Më vjen keq, besoj që do të jetë rasti i fundit sepse nuk jom i asaj natyre”- tha në seancën e së premtes (26.04.2024) i dyshuari, Fatos Ramadani.

Kurse, në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i tifozëve “Intelektualët” të klubit “Drita”, Taulant Byqmeti, ka deklaruar se më 24.04.2024, ishte sulmuar fizikisht në lokalin e tij në Gjilan nga Zymberi dhe disa persona tjerë.

Kryetari i tifozëve të klubit “Drita” flet për sulmin ndaj tij dhe familjes së tij