Prishtina pritet të bëhet me aplikacion për orarin e barnatoreve

Kryeqyteti ka njoftuar se së shpejti do ta lëshojë në funksion një aplikacion për orarin e barnatoreve kujdestare.

Në një njoftim të Kryeqytetit thuhet se funksionimi i barnatoreve, respektivisht orari i punës së tyre mbështetur në Rregulloren bazike në fuqi, fillon në ora 07:00 dhe mbaron në ora 22:00, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Ndërsa kujdestaria e barnatoreve thuhet se fillon nga ora 22:00 deri në ora 07:00, sipas orarit që do të përgatitet nga Drejtoria e Shëndetësisë.

“Së shpejti pritet edhe vendosja në përdorim të aplikacionit, nga ku mund të dihet saktë orari dhe barnatorja kujdestare në kryeqytet për datën përkatëse” – thuhet në njoftimin e Kryeqytetit më 26.04.2024.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës të datë 24.04.2024, me propozim të grupit të PDK-së, kishte anuluar përkohësisht propozim-ndryshimin e rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të barnatoreve, duke e kthyer në fuqi rregulloren e vitit 2010.

Me 40 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u vendos që orari i barnatoreve të jetë nga ora 07:00 deri 22:00.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se prapë do të ketë barnatore kujdestare, por sipas tij, nuk dihet ende se si do të funksionojnë.

Pas kësaj, PDK Prishtinë kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët.

Kryeqyteti nga 04.09.2023 kishte miratuar Rregulloren për kujdestaritë e barnatoreve. Më rregulloren e cila ishte miratuar në shtator 2023 në Kuvendin Komunal të Prishtinës, orari i punës për barnatoret ishte përcaktuar të ishte nga dia e hënë deri të shtunën nga  07:00 deri 21:00.  Derisa, çdo natë prej të hënës deri të shtunën, prej orës 21:00 deri në mëngjesin e ditës së ardhshme në ora 07:00 punojnë 5 barnatore kujdestare.

Aty thuhet se të dielave dhe gjatë festave në Prishtinë punojnë 10 barnatore me 24 orë kujdestari, me orar nga ora 07:00 deri të nesërmen në ora 07:00.

Sipas kësaj rregulloreje, dënimet për barnatoret që nuk e respektojnë orarin shkojnë nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.