Malli i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës

Policia sekuestron rreth 500 kg duhan të kontrabanduar

Në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit, në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, Policia ka sekuestruar 487.5 kg duhan i gatshëm për treg, që dyshohet se është kontrabanduar nëpër rrugë malore nga Maqedonia e Veriut, ndërkaq i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes, përkatësisht në veturën e të dyshuarit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit që më pas është sekuestruar nga Policia. Vlera e malit dhe e akcizës mbetet të përcaktohet nga Dogana e Kosovës.

Policia ka dhënë detaje rreth rastit duke shpjeguar se njësitë patrulluese të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare-Hani i Elezit në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, më 25.04.2024, në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit, kanë vërejtur një automjet të dyshuar dhe menjëherë kanë marrë veprime për ta ndaluar.

Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit, me të vëne re se është pikasur nga patrullat policore kufitare, ka braktisur automjetin dhe ka ikur në drejtim të territorit të Maqedonisë se Veriut.

Policia ka tërhequr automjetin me targa të Maqedonisë së Veriut dhe gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar sasi të konsiderueshme duhani të gatshëm: 360 pako x 800 gr = 288 kg, të llojit Lord; 79 pako x 500 gr = 39.5 kg, të llojit Marlboro; 3. 60 pako x 500 gr = 30 kg, të llojit Lord; 60 pako x 500 gr = 30 kg të llojit Dunhill; 80 pako x 500 gr = 40 kg të llojit Davidof; 80 pako x 500 gr = 40 kg të llojit West; 20 pako x 500 gr = 10 kg të llojit Royal; 20 pako x 500 gr = 10 kg të llojit Virginia.

Sipas Policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të tij, malli i kontrabandës dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor- Hani i Elezit.

Foto të mallit të sekuestruar nga Policia e Kosovës:

Malli i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës
Malli i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës
Malli i sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës