I akuzuari për krime lufte në zonën e Istogut, Ekrem Bajroviq, Foto: KALLXO.com

‘Rrahje brutale, i armatosur deri në dhëmbë’ – Rrëfimet e dëshmitarëve për të akuzuarin për krime lufte

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitet 1998 – 1999 në zonën e Istogut.

Në seancën e së premtes (26.04.2024) u dëgjuan tre dëshmitarë të cilët rrëfyen përjetimet e tyre personale me të akuzuarin Bajroviq, nga rrahje brutale deri te kërcënimet me jetë.

Fillimisht u dëgjua dëshmitari Agron Zogaj i cili tha se në vitin 1998, duke u kthyer nga spitali ku e kishte dërguar gruan e tij për të lindur, ishte ndaluar e rrahur nga i akuzuari Bajroviq.

“E ka pasë jelekun e policisë, e di. Kallashin në dorë” – tha dëshmitari.

Ndërsa kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari se si ishte rrahur, i njëjti u përgjigj “Shkelma, boksa me çka i ka ardhë…Kryt e kom pasë në tela, këmbën e vet në shpinë herë ma goditke këtu, herë kështu, herë ma qitke automatin në kry – ‘mos lëviz!'”.

Më pas u dëgjua dëshmitari Ylber Lipa, i cili përveç përjetimit të tij me Bajroviqin para gjykatës rrëfeu edhe për atë se çka kishte përjetuar gjatë luftës dhe humbjet e anëtarëve të familjes.

“Shtatë anëtarë të familjes të vrarë, të masakruar dhe të hudhur në pus. Ky është mixha në shtëpi, të tjerët janë të gjithë në pus, katër vajza, katër gra” – rrëfeu dëshmitari Lipa.

Lidhur me Ekrem Bajroviqin, ai deklaroi se në vitin 1994  një grup prej rreth 10 policëve e kishin bastisur e rrahur brutalisht ku në mesin e tyre kishte qenë edhe vetë i akuzuari.

“Unë e kom pasë një bastisje më 23.09.1994 nga Policia e Istogut fiks në orën 12 të ditës me pretekstin për armë, në të cilën bastisje prej nëntë ose 10 policëve ka marrë pjesë edhe Ekrem Bajroviq… Pas futjes në shtëpi dhe rrahjes barbare para gruas dhe fëmijëve të vegjël të mi, më kanë dërguar në stacionin policor në Istog” – tha dëshmitari.

Në fund u dëgjua edhe dëshmitari Ahmet Rexhaj i cili gjatë seancës u ballafaqua drejtpërsëdrejti me Bajroviqin.

Rexhaj iu drejtua të akuzuarit duke e pyetur se “a më njeh kështu si figurë?” me ç’rast Bajroviq i përgjigj se e njeh, por se e mohoi ta ketë goditur.

“Të njoh shkëlqyeshëm dhe e di se të kam ndaluar atë natë nuk të kam goditur” – ishte përgjigja e të akuzuarit.

Ndërkaq i njëjti dëshmitar deklaroi se të akuzuarin gjithmonë e kishte parë të uniformuar e të armatosur “deri në dhëmb” duke shtuar se arma e tij ka qenë kallashnikovi.

Rasti po trajtohet nga trupi gjykues me kryesues Mentor Bajraktari dhe anëtarët Kujtim Krasniqi e Arben Hoti. Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradan më 08.05.1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc, thuhet në dosje.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.