Zëvendësministri i MAPL-së e pranon se kushtet në qendrat e votimit në veri nuk kanë qenë të mira

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri e ka pranuar se kushtet nëpër qendrat e votimit gjatë votimit të së dielës me 21.04.2024 në katër komunat veriore, nuk kanë qenë të mira.

Gjatë fjalës së tij në diskutimin që është duke u mbajtur në Qendrën Mediale në Çagllavicë me temën “Referendumi në veri – A i ka përmbushur qeveria ndryshimet ndaj BE-së apo mungesa e ndryshimeve paraqet shenjë dështimi”, Vokrri tha se atë ditë logjistika nuk ka punuar mirë.

“Gjatë këtij procesi, logjistika nuk ka punuar shumë mirë, siç e dini, shkollat nuk kanë qenë në dispozicion pasi Lista Serbe nuk ka dhënë leje dhe ne nuk kemi dashur që të krijojmë tensione me zor apo me Policinë t’i hapim” – ka thënë Vokrri.

Ai ka thënë se pas mbajtjes së procesit të votimit në veri, Bashkimi Evropian nuk ka më arsye që të mos i heq masat ndaj Kosovës.

“Unë edhe njëherë kisha thënë se nuk i ndjejë tensionet, nuk jam çdo ditë në veri, por flas me ta. Nuk jam shumë i lumtur me situatën, por atje mbizotëron njëfarë qetësie” – tha Vokrri.

“Unë besoj që fitues janë qytetarët serbë në veri sepse tani do të kenë mjaft kohë që të organizohen dhe krijojnë opsione politike të cilat do t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës në mënyrë më të dinjitetshme sesa që e ka bërë Lista Serbe” –  tha Vokrri mes tjerash.

Ndërsa Dusan Radakoviq, aktivist i shoqërisë civile nga komuniteti serb në veri, ka pasur kritika për vendosjen e kutive e kamerave, nëpër qendrat e votimit.

Ai ka konsideruar se kushtet nëpër qendrat e votimit kanë qenë “jo humane”.

“Problemet e radhës kanë qenë vendosja e kutive për votim, ka qenë e pa kuptim, edhe kamera ka mund të shoh për kënd po voton. Unë e di që ka pas probleme me shkollë, mirëpo kushtet me të vërtetë në disa vende kanë qenë jo humane” – ka thënë Radakoviq.

Kurse Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, ka thënë se Lista Serbe ka dashtë që procesi të mos ketë sukses, ndërsa ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë pasive, si dhe kushtet nuk kanë qenë të duhura.

“KQZ mendoj që sipas meje ka bërë një lëvizje të mençur duke vendosur të mos hyjë në shkolla sepse kjo do e kishte rënduar situatën. Ka pasur ndikim nga Lista Serbe, nga Qeveria e Kosovës, qytetarët mendoj që kanë qenë konfuz në një anë. Në anën tjetër mendoj që Qeveria ka dëshiruar që ky proces të jetë vetëm i implementuar, pa pasur ndonjë sukses” – tha ndër të tjera Jabllanoviq.

“Në Leposaviq kemi nepotizëm, deri më tani i kemi 11 emra nga familja e Lulëzim Hetemit” –  ka thënë tutje Jabllanoviq, teksa më pas i ka lexuar edhe emrat e personave që sipas tij janë të punësuar në komunë, e janë familjar të kryetarit.

Kurse zëvendësministri Arbër Vokrri ju përgjigj Jabllanoviqit, duke thënë se “është e kuptueshme që ka nepotizëm, për shkak se në situata të caktuar duhen njerëz të besueshëm”.

“Diku 250 qytetarë serbë janë të punësuar në tërësi në veri nga pushteti aktual. A ka nepotizëm, është shumë e kuptueshme që ka. Por, duhet me kuptu se pse ndodhë ajo. Në situata të caktuara të duhen afër njerëz të besueshëm, për këtë periudhë duhen njerëz të besueshëm me i kry punët e komunës” – tha Vokrri.

Të dielën me 21.04.2024 në katër komunat veriore me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut u mbajtën zgjedhjet për të votuar pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 22.04.2024 ka publikuar rezultatet përfundimtare të votimit për ose kundër largimit të kryetarëve.

Sipas këtyre rezultateve, gjashtë qytetarë në Leposaviq u pajtuan që Lulzim Hetemi të largohet nga pozita e tij, ndërsa 129 të tjerë nuk u pajtuan.

Në komunën e Zubin Potokut ishin vetëm 18 vota. Asnjë nga votuesit nuk ishte për shkarkimin e kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.

Në Zveçan rezultoi se ishte vetëm një votë, e cila ishte kundër propozimit që Ilir Peci të largohet nga funksioni i kryetarit.

Ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 99 qytetarë ishin kundër largimit të Erden Atiq nga posti i kryetarit dhe 12 të tjerë votuan pro largimit të tij.

 

KQZ publikon rezultatet përfundimtare të votimit në veri