Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit reagon lidhur me ngacmimet seksuale në UP: Kjo dukuri s'duhet të mbetet pa u ndëshkuar

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar lidhur me ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës duke kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin veprime të nevojshme ndaj këtij fenomeni.

Ky reagim vjen rreth një muaj pas mediatizimit të rastit të profesorit, Xhevat Krasniqi i cili është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Avokati i Popullit thotë se është jashtëzakonisht i shqetësuar lidhur me deklarimet e fundit për ngacmimet seksuale në UP. Shqetësime të tilla, ai thotë se ka pranuar nga studentët edhe më herët në takime e aktivitete promovimi të të drejtave të njeriut.

“Ngacmimet seksuale nuk duhet të tolerohen, kërkohet reagim institucional, kërkohet po ashtu debat i hapur publik për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, sidomos të vajzave e të grave që rastet e tilla t’i raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Kjo çështje kërkon masa efikase në reagim për të rritur besimin në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim që kjo dukuri në asnjë rast të mos mbetet pa u ndëshkuar” – thuhet në reagimin e tij.

Legjislacioni në Kosovë, sipas Qelaj përfshin një numër të madh aktesh normative-juridike, të cilat rregullojnë dhe adresojnë çështjen e ngacmimeve seksuale.

Përveç vepër penale, ai thotë se ngacmimi seksual përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe mund të ketë pasoja të rënda për viktimat.

“Është detyrë jona të ndërhyjmë dhe t’i mbrojmë viktimat e ngacmimit seksual duke u ofruar mbështetje dhe duke i njoftuar autoritetet përkatëse kompetente për këto sjellje të papërshtatshme, të cilat ushtrohet nga personat e caktuar me qëllim të përfitimit seksual, të cilët krijojnë ndjesinë e të qenët i pafuqishëm përballë tij/saj” – ka thënë më tej ai.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin masat e përshtatshme për parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë efektive dhe me urgjencë.

Xhevat Krasniqi është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, ku ishte i angazhuar si profesor i lëndës së matematikës.

Më 23.04.2024, Krasniqin e ka pezulluar nga puna rektori i UP-së, Qerim Qerimi pas rekomandimit të Këshillit të Etikës së UP-së që ai të jetë i pezulluar derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit lidhur me denoncimin për ngacmim seksual.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Rektoratit dhe Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për pezullimin e profesorit Xhevat Krasniqi.

Teksa ka thënë se mbështet vendimin, ministrja Nagavci ka deklaruar se asnjë shkelje nuk mbetet pa u ndëshkuar në universitete.

“Asnjë shkelje nuk do të mbetet pa ndëshkuar në universitetet tona. Ashtu siç jemi zotuar se për të gjitha sjelljet që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, në veçanti rastet e ngacmimeve seksuale toleranca do të jetë zero” – ka shkruar ministrja Nagavci në profilin e saj në Facebook, më 23.04.2024.

Në anën tjetër, Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rast ndaj profesorit Krasniqi, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se Policia është autorizuar për të ndërmarrë veprimet hetimore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’. Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”- ka thënë ajo.

Arsyetimi i vendimit të Rektorit Qerimi, sipas rekomandimit të KE, për të pezulluar nga puna profesorin Xhevat Krasniqi derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit është në kundërshtim me Rregulloren e UP-së për mbrojtje nga ngacmimi seksual, sipas avokates dhe hulumtueses për të drejtat e njeriut, Rina Kika.

Sipas Kikës, Rregullorja në fjalë parasheh që UP duhet të marrë vendim pavarësisht se çfarë procedure tjetër po zhvillohet për të njëjtin rast.

Ajo ka cituar nenin 11, paragrafin 7 të Rregullores së UP për mbrojtje nga ngacmimi seksual: “Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë”.

“Procedura disiplinore në Universitet nuk varet nga procedurat që i zbatojnë institucionet tjera. Përgjegjësia penale është një gjë, përgjegjësia disiplinore etike është një gjë tjetër” – ka shtuar ajo.

Në një konferencë për media, para Rektoratit të UP-së, aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore reaguan po ashtu në lidhje me vendimin e UP-së për pezullim nga puna ndaj Krasniqit.

Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore tha se gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ndërsa askund nuk u përmend ngacmimi seksual.

“Gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ku askund nuk u përmend ngacmimi seksual, i cili ishte vetë shkaku i procedurës së zhagitur të Këshillit. Gjysma e tjetër e saj mundohet të paraqes Këshillin e Etikës si viktimë e ndonjë presioni të padrejtë të ushtruar nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë UP-së duke i emëruar ato si sulme ndaj anëtarëve të Këshillit”- tha ajo.

Edhe sipas saj, me këtë vendim është shkelur neni 11, pika 7 e rregullores së UP-së për ngacmime seksuale.

“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve, dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Duke e shkelur nenin 11 pikën 7 të rregullores së UP-së për ngacmime seksuale, duke mos e marrë vendimin në mënyrë të pavarur nga procedurat e jashtme”- tha ajo.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – tha kryeprokurori Gashi.

Vendimi i Këshilli i Etikës duke i rekomanduar UP-së pezullimin e Krasniqit erdhi pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.

Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë në atë kohë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në anën tjetër, më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi në Fakultetin e Edukimit.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi.

Ky aksion ishte vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkuan me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga UP, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve të Mjekësisë ndaj tij.

Në mbledhjen e KE-së të datës 22.04.2024, Krasniqi ka dëshmuar para anëtarëve të KE, mirëpo ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim. Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit para KE-së mund ta lexoni KËTU.

Mosmarrja e vendimit nga KE revoltoi aktivistët, të cilët më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Administratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.