Projekti për rrugën "Agim Ramadani" Foto: Përparim Rama, 24.04.2024

Komuna e Prishtinës hap tender 6 milionë euro për ndërtimin e tunelit në rrugën ‘Agim Ramadani’ (FOTO)

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”.

Sipas njoftimit për kontratë të publikuar më 22.04.2024, vlera e parashikuar është 6 milionë euro.

Lloji i procedurës është e hapur.

Kriteret e dhënies është tenderi ekonomikisht më i favorshëm në drejtim; çmimi – kofiecient 0.60, garancinë e punimeve minimumi 10 vite=0% Garancinë e punimeve max. 20 vite=10% dhe planin dinamik maksimumi 180 ditë = 0% Plani dinamik minimumi  120 ditë =30%.

Për këtë projekt, kryetari Përparim Rama tha se ky tunel do të shkarkojë komunikacionin në qendër të Kryeqytetit dhe do të ndërlidh Prishtinën e Vjetër me sheshet Ibrahim Rugova, Skenderbeu, Zahir Pajaziti, Xhorxh Bush e deri te Katedralja.

“Në këtë mënyrë po krijojmë më shumë hapësira për këmbësorë e gjelbërim, ajër më të pastër e jetë më të shëndetshme për qytetarët” – ka shkruar kryetari Rama më 24.04.2024 në rrjetin social “Facebook”.

Kryetari Rama ka shpërndarë edhe disa fotografi se si pritet të duket projekti.