Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VLEN “i kënaqur” me rezultatet e zgjedhjeve, ankohet se komunitetet e tjera joshumicë votuan Bujar Osmanin

Koalicioni shqiptar VLEN në Maqedoni të Veriut është shprehur i kënaqur me rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve presidenciale atje.

Këtë ka deklaruar në “Debat Plus”, Arianit Reka, zëdhënësi i kandidatit të VLEN, Arben Taravari.

Reka ka kritikuar “Frontin Europian” në krye me Bujar Osmani, duke thënë se kanë bërë koalicion me komunitetet e tjera pakicë.

“Rezultati është i jashtëzakonshme për ne… dhe ka një atmosferë mjaft pozitive. Rezultati është i mirë, siç e dini në këto zgjedhje kishim dy blloqe, ishte blloku VLEN dhe blloku tjetër që ishte bllok multietnik”.

“Votat që janë marrë nëpër komunitete që janë nëpër vendbanimet multietnike nuk janë marrë më vendbanimet shumicë ku janë shqiptarët”, ka thënë Reka.

Në një konferencë për media edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka thënë se koalicioni VLEN është fitues i votave shqiptare, ndërsa sipas tij, BDI-ja ka edhe votat e komuniteteve tjera.

“VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk nxjer deputet shqiptar. BDI me këto zgjedhje humbi legjitimitetin politik të flasë në emër të shqiptarëve”, ka thënë Kasami./Dukagjini